Aeroporti i Vlorës/ 100 milionë euro, Pacolli dhe Balluku, gazetari Tomori jep detajin e fortë në Top Story: Lojë pas shpine!

22/09/2026 09:00

Vendimet e arbitrazheve ndërkombëtare dhe kostot që ato mund të sjellin për shtetin shqiptar ishin një nga temat e diskutuara mbrëmjen e djeshme në emisionin “Top Story” me Grida Dumën.

Në fokus të debatit ishte veçanërisht çështja e Aeroportit të Vlorës, një projekt i shumëdiskutuar, punimet e të cilit, sipas afateve të parashikuara, duhej të kishin përfunduar tashmë.

Në studio u diskutua mbi kontratat, financimin, strukturën e aksionerëve dhe zhvillimet që kanë shoqëruar projektin, ndërsa vëmendje të veçantë mori edhe përplasja mes palëve dhe proceset gjyqësore e arbitrazhet që lidhen me të.

Në debat u ngritën pikëpyetje mbi mënyrën se si u ndërtua marrëdhënia kontraktuale dhe financiare, si dhe mbi përgjegjësitë për vonesat dhe zhvillimet që kanë ndikuar në ecurinë e projektit.

Ylli Manjani: Këtij njeriut i paskan dhënë kontratë pa garanci financiare, me kosto zero, ka mbajtur gjithë koston publike qeveria shqiptare. Me shqpronësime, leje ndërtimi e të gjitha. Ky ka pasur vetëm detyrën për ta bërë dhe nuk e ka bërë, është i paaftë.

Grida Duma: Po përse ja kanë dhënë pra?

Ylli Manjani: Behgjet Pacollit iu dha një shans i madh dhe u tregua një njeri i vogël.

Grida Duma: Kur gjen një shtet që mund të fitojë 700 milionë euro në arbitrazh, le t’i marrë.

Klodian Tomori: Pacolli mori kredi nga një nënfond investimesh që funksionon si rreth i mbyllur dhe nuk dihet kush ishte mbrapa. Paratë 100 milionë euro u morën nga MABCO dhe ka qenë pjesë e kontratës që VIA do bëhej huamarrës shtesë, pra do aderonte në këtë kredi. Nuk viheshin asetet e aeroportit, sepse ato janë të shtetit shqiptar, por do të viheshin flukset e të ardhurave të aeroportit dhe do t’i jepnin atyre kontroll menaxherial. Kjo kredi ishte arsyeja përse Pacollin e nxorën jashtë aeroportit, i ngrinë votat. Gjykata e Lartë ka thënë se ky është aksioneri kryesor, kontrata e shitjes së 47% të aksioneve ekziston. Pacolli e kishte marrë këtë kredi pa e ditur ortaku i tij, kjo çështje e nisi që shkoi nëpër gjykata. Gjëja tjetër janë turqit, YDA Group, që kishte 40% të aksioneve. Turku nuk erdhi për të bërë aeroport në Shqipëri, është kompania e njëjtë që bëri spitalin Memorial në Fier. Nuk është e vërtetë se aksionet e tyre janë shitur 4 mijë euro kuotat, janë paguar 4 milionë e ca euro në Turqi, aeroporti ishte mekanizëm për të marrë para. Këta u përdorën vetëm për dokumentacion. Përgjegjësia e ministrisë së infrastrukturës ishte se dolën turqit. Daljen e turqve e ka firmosur Belinda Balluku.

Top Channel