Franca në alarm si pasojë e koronavirusit/ Macron shpall ndalim-qarkullimin…

14/10/2020 21:15

Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se njerëzit duhet të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi nga ora 21 e mbrëmjes e deri në 6 të mëngjesit në Paris dhe tetë qytete të tjera, për të vënë nën kontroll rritjen e shpejtë të koronavirusit në vend.

Ndalimi i qarkullimit do të hyjë në fuqi nga e shtuna dhe do të zgjasë për të paktën katër javë – tha Macron duke shtuar se kjo valë koronavirusi është e ndryshme nga shpërthimi në pranverë, sepse virusi tani është përhapur në të gjitha anët e Francës.

Ndalim qarkullimi gjatë natës, do të aplikohet në paris dhe periferitë e tij por edhe në Marseille, Lyon, Lille, Aix-en-Provence, Rouen, Toulouse dhe Montpellier. Njerëzit nuk do të munden të vizitojnë restorantet dhe shtëpitë private gjatë mbrëmjeve dhe gjatë natës, shpjegoi Macron.

Banorët duhet të japin një arsye të vlefshme për të dalë nga shtëpitë, gjatë orëve të ndalim qarkullimit – tha presidenti ndërsa udhëtimet e domosdoshme do të lejohen. Shkollat do të mbeten të hapura dhe njerëzit do të jenë ende në gjendje të udhëtojnë mes rajoneve, por do ta bëjnë këtë gjatë ditës.

“Ne duhet të veprojmë. Duhet të ndalim përhapjen e virusit. Unë e kuptoj që një ndalim qarkullimi është diçka e rëndë për t’ia kërkuar njerëzve, por është gjëja e duhur për tu bërë”, u shpreh Macron.

Ndërkohë në Francë është shpallur gjendja e emergjencës. 22951 infektime të reja u konfirmuan në vend vetëm të mërkurën. Edhe në të gjithë Evropën, qeveritë po marrin masa të reja për të luftuar një valë të dytë infektimesh. Izolimi i pjesshëm hyri në fuqi në Holandë me kafenetë dhe restorantet që do të mbyllen.

Katalonja po ashtu mbyll baret e restorantet për 15 ditë ndërkohë që Republika ceke ka mbyllur shkollat dhe baret.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA