Ky vit shkollor pandemik ka bërë që mësimi të mos kryhet njësoj në të gjitha shkollat, në varësi të numrit të nxënësve që kanë dhe dëmtimeve prej tërmetit.
Për të respektuar distancën 660 institucione arsimore zhvillojnë mësim me turne. E për këtë arsye mësuesit kanë një ngarkesë më të madhe mësimore, kryesisht në Tiranë Durrës dhe Krujë.
“Pra nga 28 mijë arsimtarë në total, 14 mijë që i bie 50% prej tyre kanë kryer orë suplementare”.
Ndarja e klasës në dy grupe si rrjedhojë sjell shpjegimin e lëndës dy herë nga i njëjti mësues, e në këtë mënyrë shton dhe orët mësimore dhe pagesën gjithashtu.
“Maksimalisht një mësues mund të kryejë deri në 7 orë mësimore suplementare. Pagat e muajit shtator janë xhiruar këto ditë të para të tetorit, që vërteton çdo minutë është paguar dhe ka shkuar në llogaritë personale të mësuesve. Paga shtesë shkon 8 mijë deri 9 mijë në varësi të arsimit ku jep bazë apo të mesëm”.
Mirëpo kjo ka qenë edhe zgjedhja e mësuesve, shpjegon Drejtoria e përgjithshme e arsimit, për të mos u zëvendësuar nga mësues të përkohshëm.
“Në rast se do të ketë mësues që janë të pamundur për të bërë orët shtesë ose kërkojnë lehtësim për të bërë vetëm normën e tyre, atëherë ne do të përdorim nga organikat qe kemi rezervë për të mbuluar këto nevoja”.
Ndërsa pagesa për orët e kujdestarisë nuk ka ndryshuar.
“Pagesa për orët kujdestari është pjesë e normës mësimore ku llogaritet dhe ajo si pjesë e ngarkesës, i vetmi ndryshim nga ora e mësimit është që ora kujdestari nuk ndahet në dy orë 30 min për të përfituar atë 15 min. Pra është një gjë teknike”.
Top Channel