Dy goditjet e mëdha, tërmeti i 26 Nëntori dhe më pas kriza e Covid-19 e kanë vënë në vështirësi të mëdha ekonominë dhe xhepat e shqiptarëve, që kanë frenuar ndjeshëm shpenzimet për shkak të krizës.

Këtë e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare të Instat, pasi sipas tij inflacioni ka qëndruar në nivele anemike edhe gjatë shtatorit në 1.5%, shumë poshtë objektivit prej 3% të parashikuar nga Banka e Shqipërisë, një tregues ky që sipas ekspertëve dëshmon për një tkurre të fortë të konsumit.

Ines Nurja: Norma të tilla inflacioni tregojnë për një tkurrje të konsumit. Kriza e konsumit nuk ka filluar ende, ajo do të ndihet akoma më shumë gjatë vitit të ardhshëm.”

Ish- drejtoresha e Instat Ines Nurja bën apel për masa emergjente në ndihmë të bizneseve, si një formë për të nxitur punësimin dhe gjallëruar konsumin në të ardhmen.

Ines Nurja: Duhen ndihmuar bizneset tani në mënyrë që të reduktohet papunësia  në vend. Vetëm kështu do të mund të përmirësohet konsumi i cili duhet thënë se ka parë një tkurrje gjatë gjithë vitit, që prej tërmetit të 26 Nëntorit.”

Sipas Instat, gjatë tremujorit të dytë që përkoi thuajse edhe me mbylljen totale të ekonomisë konsumi i popullatës u tkurr me 7.57%. Në kushtet kur efektet e pandemisë janë materializuar tashmë në ekonominë reale dhe vijojnë të ushtrojnë presion mbi të, rritja që vjen nga konsumi rrezikohet ndjeshëm edhe për vitin e ardhshëm, duke marrë në konsideratë edhe një stepje të mundshme të fuqisë blerëse.

Top Channel