Zbuloni si ndikon kolesteroli në shëndetin e tiroides, ushqimet që duhet të shmangni

07/10/2020 06:56

Kolesteroli i lartë është një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës dhe isheminë. Rritja pa fre e tij kryesisht i atribuohet ushqyerjes së keqe dhe stilit të jetesës megjithatë ka një sërë problemesh shëndetësore që kanë ndikim tek niveli i kolesterolit.

Një problem i tillë ka të bëjë me tiroiden. Prodhimi i sasive të larta ose tepër të ulëta të hormoneve rrit rrezikun e një niveli jo normal të kolesterolit në gjak.

Çfarë Është Kolesteroli?
Kolesteroli është një substancë në trajtën e dyllit që është e pranishme në çdo qelizë të trupit. Ky i fundit e përdor kolesterolin për të prodhuar hormone por edhe acide që tresin yndyrnat. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, kur kolesteroli arrin në nivele të larta, ai mund të shkaktojë probleme të rënda siç janë sëmundjet e zemrës. Kolesteroli rrugëton në trup nëpërmjet gjakut duke iu ngjitur një proteine. Ky kombinim njihet ndryshe si lipoproteina e cila ndahet në dy kategori në varësi të dendësisë. Lipoproteina me dendësi të lartë njihet ndryshe si kolesteroli i mirë ndërsa ajo me dendësi të ulët njihet si kolesteroli i keq. Ky i fundit është tregues i një rreziku të lartë të sëmundjeve të zemrës.

Cila Është Lidhja Mes Tiroides Dhe Kolesterolit?
Hormonet e tiroides luajnë një rol thelbësor në punën përpunuese të mëlçisë dhe në eliminimin e kolesterolit të tepërt në trup. Kur tiroidja nuk prodhon mjaftueshëm hormone, mëlçia e ka të vështirë të përpunojë sasitë e mjaftueshme të kolesterolit. Studimet, të cilave i referohet AgroWeb.org kanë konfirmuar se 13% e njerëzve që vuajnë nga kolesteroli i lartë në gjak, përballen me një tiroide që prodhon pak hormone. Nga ana tjetër, nëse tiroidja është tepër aktive mund të ketë një rol krejt të kundërt. Tiroidja hiperaktive mund të shkaktojë nivele të ulëta të kolesterolit në gjak. Sidoqoftë, nuk ka akoma të dhëna shkencore që provojnë se nivelet e ulëta të kolesterolit rrisin rrezikun e problemeve me zemrën.

Ushqimet Që Duhet Të Shmangni Kur Tiroidja Prodhon Më Pak Hormone
AgroWeb.org ju këshillon se ushqimet që duhet të shmangni që të ulin kolesterolin edhe kur tiroidja prodhon më pak hormone janë:
Mishi i kuq dhe me dhjamë,
Mishrat e përpunuar,
Produktet e bulmetit me shumë yndyrë
Ëmbëlsirat e paketuar
Ushqimet e skuqura.

Në vend të tyre zgjidhni perime, fruta, ushqime të pasura me yndyrna mono-të-pangopura, peshk dhe arrorë. /AgroWeb

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA