Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së premtes sorollatjet e ish pronarëve që të përfitojnë kompensimin apo kthimin e trojeve të tyre të sekuestruara.

Megjithëse vitet kalojnë, këto familje enden në dyert e institucioneve, kryesisht te Agjencia e Trajtimit të Pronave, për të marrë “thërrimet” që shpërndan shteti. Në emisionin investigativ u ankua z.Leka Bungo, një emër i njohu i kinematografisë shqiptare dhe regjisor i njohur. Familja e tij ka pasur një truall prej 8000 metra katrorësh truall brenda qytetit të Elbasanit, ku një pjesë i është kthyer, një pjesë i është kompensuar truall dhe një pjesë i është kompensuar “tokë arë”.

Megjithëse kanë kaluar rreth 25 vite nga njohja e kësaj familje si pronar, ata ende nuk po e gëzojnë dot, pasi administrata e Agjencisë së Trajtimit të Pronave ndër vite e ka sorollatur. Dhe, pasi ka fituar dy vendime gjykatash që e detyrojnë ATP-në ta kompensojë për truall, sërish kjo Agjenci nuk e zbaton, me arsyetimin se është në Gjykatën e Lartë. Vendimi i Apelit citon se duhet të ekzekutohet menjëherë nga përmbarimi. Por, ATP pretendon se “vendim i formës së prerë është Gjykata e Lartë”.

“Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është marrë në vitin 2018. Aktualisht nuk ka një vendim të Gjykatës së Lartë për pezullim vendimi. Por, ATP nuk e zbaton këtë vendim” thotë regjisori i njohur Leka Bungo. Ai pohon se nuk e di se çfarë procedurash të tjera duhet të kryejë familja e tij që të përfitojë këtë pronë. “Prona është aty. Vendimi i gjykatës së Apelit, madje edhe urdhri i Përmbarimit, por sërish vendimi nuk është zbatuar” vijon ai, ndërsa shton se me këto ritme, askush nuk do e gëzojë dot këtë pronë, pasi aktualisht vetëm ai jeton nga të gjithë trashëgimtarët. Në fund pohon se, Kushtetuta e ka përcaktuar qartë se një vendim i formës së prerë duhet të zbatohet nga institucionet. Por, jo nga ATP-ja, e cila “ligjin themeltar të shtetit” nuk e zbaton!

Pas ankesës, gazetarët e emisionit investigativ interesohen pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, teksa kjo e fundit me një përgjigje voluminoze ka cituar dhjetëra ligje, nene apo vendime gjyqësore. Por, në fund nuk thotë se përse nuk po e zbaton këtë vendim gjyqësor. Agjencia pohon se çështja është në Gjykatën e Lartë. Dhe, sipas saj, vendimi i Apelit nuk është përfundimtar! Sipas saj, ligji i pronave, në nenin 5, pika 17 e tij citon se; vendim “përfundimtar” është çdo vendim administrativ ose gjyqësor, i cili nuk i nënshtrohet më një procedure kontrolli dhe rishikimi nga një autoritet më i lartë administrativ ose gjyqësor, duke përfshirë këtu vendimet e formës së prerë dhe kur këto i janë nënshtruar rekursit, si përfundimtar konsiderohet vendimi i Gjykatës së Lartë…”.

Në fund pohon se, për sa më sipër, ATP nuk mund të vijojë me ekzekutimin e vendimit deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes gjyqësore nga Gjykata e Lartë”. Por, neni 142 i Kushtetutës përcakton se “organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore”.

Top Channel