Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e djeshme të punësojë 1 mijë mësues shtesë, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 në shkollat e vendit, përgjatë vitit shkollor 2020-2021.
Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dhe VKM-në për punësimin e mësuesve shtesë, që tregon si ata do të rekrutohen dhe si do të paguhen. Këta punonjës sipas vendimit, do të rekrutohen nga portali “Mësues për Shqipërinë” për sistemin arsimor parauniversitar (arsimi bazë, gjimnazi dhe arsimi i mesëm i orientuar), për vitin shkollor 2020-2021.
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E NUMRIT MAKSIMAL TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR MINISTRINË E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës të Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri maksimal i punonjësve arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme, për vitin shkollor 2020-2021 për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, është jo më shumë 1 000 (një mijë) punonjës.
2. Punonjësit arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme rekrutohen nga portali “Mësues për Shqipërinë” për sistemin arsimor parauniversitar (arsimi bazë, gjimnazi dhe arsimi i mesëm i orientuar), me qëllim përballimin e nevojave për punonjës arsimorë shtesë gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, për vitin shkollor 2020-2021.
3. Shpërndarja e numrit të punonjësve arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme, në varësi të nevojave të zyrave vendore të arsimit parauniversitar, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.
4. Pagesa e punonjësve arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme kryhet në përputhje me përcaktimet e bëra në vendimin nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jo mësimorë, në arsimin parauniversitar”, të ndryshuar, në varësi të kohës së punës së kryer.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit për vitin 2020, i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programet buxhetore “Arsimi bazë” dhe “Arsimi i mesëm i përgjithshëm”.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Top Channel