“Marrëveshja SHBA-Rusi e paimagjinueshme për Evropën”, Merz: Do vijojmë të mbështesim Ukrainën

12/10/2026 16:57

Kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi sot se Gjermania do të qëndrojë pranë Ukrainës, ndërsa do të refuzojë marrëveshjen SHBA-Rusi për naftën.

“Presidenti Zelensky mund të mbështetet te Gjermania dhe Evropa në këtë situatë. Ne qëndrojmë pranë Ukrainës dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë brenda kornizës së Bashkimit Evropian me qëllim një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme që do të ruajë si lirinë e Ukrainës ashtu edhe sigurinë e Evropës”, ​​theksoi ai.

Lidhur me marrëveshjen midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për eksportet e naftës, kancelari gjerman theksoi se “një vendim i tillë është i paimagjinueshëm për Gjermaninë dhe Evropën”, ndërsa shtoi se “Rusia do të negociojë seriozisht vetëm nën presion, dhe kjo është arsyeja pse ne po i mbajmë sanksionet tona kundër Rusisë”.

Merz tha gjithashtu se “pas sulmeve të pamëshirshme të Moskës ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ne duhet t’i forcojmë ato”.

Të premten, Donald Trump njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me Vladimir Putin për të kanalizuar sasi shtesë të naftës ruse në tregjet ndërkombëtare.

Sipas njoftimeve të SHBA-së, Moska është zotuar të vërë në dispozicion menjëherë më shumë se 300,000 ton, 500,000 ton të tjerë në nëntor dhe një milion ton në dhjetor.

Presidenti i SHBA-së përmendi gjithashtu mundësinë e vënies në dispozicion të tre milion tonëve shtesë në një fazë të mëvonshme, nëse përmbushen kushte të caktuara.

Sipas njoftimeve të presidentit amerikan sasia totale tejkalon prej 4.8 milion ton, por pa u bërë publikë kohët e sakta të dorëzimit, kushtet tregtare ose blerësit përfundimtarë.

Top Channel