“Nëse do paqe, përgatitu për luftë”/ Komandanti i NATO-s zbulon planin për të përballuar Rusinë: Nuk do të lejojmë pushtimin e asnjë territori

13/10/2026 09:58

Askush në krahun lindor të Europës nuk ka ndërmend të heqë dorë nga aleanca atlantike, ose, më saktë, nga udhëheqja ushtarake e Shteteve të Bashkuara.

Kjo është arsyeja, sipas mediave të huaja, përse ndërhyrja e gjeneralit amerikan Alexus Grynkewich ishte ndër më të priturat dhe ndër më të duartrokiturat në “Forumin e Varshavës për Sigurinë”.

Grynkewich është komandanti suprem i forcave europiane të NATO-s, një post që tradicionalisht u është rezervuar vetëm ushtarakëve amerikanë. Për më tepër, gjenerali drejton edhe Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara.

Bëhet fjalë për një përgjegjësi të dyfishtë që ia siguron këtë audiencë, duke qenë se ai është emëruar nga Donald Trump, shkruan Corriere della Sera.

Gjenerali e nisi fjalimin e tij me shprehjen e vjetër: “Nëse  dëshiron paqen, përgatitu për luftë”, teksa paraqiti atë që e përshkroi “si planin e fitores së aleancës” dhe insistoi se mbështetja amerikane për aleatët europianë, është e garantuar.

“Ky plan mbështetet nga të 32 partnerët e Aleancës. NATO-ja ka një avantazh thelbësor: ne mbikëqyrim territorin përreth përmes një sistemi të sofistikuar të inteligjencës, i cili na mundëson të përpunojmë sasi të mëdha të dhënash me anë të algoritmeve. Është shumë e vështirë që të kapemi në befasi. Prandaj, do të jemi në gjendje të frenojmë çdo sulm fillestar. Nëse do të jetë e nevojshme, do ta shkatërrojmë dislokimin e forcave armike, duke vënë në veprim forcat tona konvencionale: ushtrinë tokësore, aviacionin, marinën, por edhe njësitë kibernetike. Në këtë mënyrë, nuk do ta lejojmë armikun të pushtojë as edhe një pjesë të vogël të territorit tonë”, u shpreh Grynkewich.

Kjo nuk do të thotë se e konsiderojmë një konflikt të afërt: ne duam të jemi të përgatitur për atë që është e mundur, jo vetëm për atë që është e mundshme, sqaroi gjenerali, i cili shtoi më tej hollësi teknike teksa këmbënguli në një aspekt:  NATO mund të mbështetet tashmë në një epërsi të qartë teknologjike dhe në kontingjente ushtarake të stërvitura.

Me tej renditi prioritetet e SHBA: “Në vend të parë është siguria jonë kombëtare; në vend të dytë, siguria e kontinentit tonë; në vend të tretë, rajoni Indo-Paqësor; dhe në vend të katërt, Europa”.

Top Channel