U gjet i pajetë disa ditë më parë/ Përfundon pas 11 orësh autopsia e ish-kreut të Policisë italiane, çfarë zbuluan mjekët ligjorë
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës i ka shprehur shqetësimin e Romës për operacionin ushtarak të Ukrainës në portin e Bengazit në Libi.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme italiane, Meloni e ka konsideruar operacionin si një shkelje të sovranitetit libian, duke paralajmëruar se veprime të tilla rrezikojnë të zgjerojnë konfliktin përtej kufijve të Ukrainës dhe të ndikojnë në sigurinë e rajonit të Mesdheut.
Gjatë bisedës, kryeministrja italiane riafirmoi mbështetjen e vendit të saj për Ukrainën dhe për përpjekjet që synojnë arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë. Megjithatë, ajo theksoi se kjo mbështetje nuk nënkupton pranimin e nismave që mund të vënë në rrezik sigurinë e Italisë dhe të rajonit.
Nga ana e tij, Zelensky pranoi se operacioni ishte kryer pa koordinim paraprak me partnerët. Sipas deklaratës së qeverisë italiane, presidenti ukrainas tha se i kuptonte shqetësimet e Romës dhe u zotua të mbante komunikim të drejtpërdrejtë e të vazhdueshëm, duke ndarë informacionet në dispozicion.
Edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, kishte shprehur më herët pakënaqësinë e qeverisë së tij për sulmet ukrainase ndaj dy anijeve ruse në ujërat libiane.
Në një intervistë për gazetën “Corriere della Sera”, më 25 nëntor, Tajani deklaroi se Italia nuk ishte informuar paraprakisht për operacionin e Kievit dhe se sulmet në ujërat territoriale të Libisë, madje edhe brenda një porti, përbënin një gabim.
“Ishte gabim të shkelej sovraniteti kombëtar i Libisë”, deklaroi ai, duke shtuar se kishte komunikuar edhe me homologun ukrainas, Andriy Sibiha, për t’i përcjellë shqetësimet e qeverisë italiane.
Tajani theksoi se Italia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, por pa hequr dorë nga respektimi i integritetit territorial të vendeve të tjera.
Operacioni ukrainas ka shkaktuar reagime edhe brenda qeverisë italiane. Partia Liga e Matteo Salvinit e cilësoi sulmin si të papranueshëm, duke paralajmëruar për rrezikun e destabilizimit të Libisë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, përcolli një mesazh të ngjashëm, duke riafirmuar mbështetjen e Berlinit për të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje, por duke kërkuar që lufta të mos zgjerohet gjeografikisht.
“E drejta e Ukrainës për mbrojtje legjitime është e padiskutueshme dhe ne e mbështesim Ukrainën, por paralajmëroj fuqimisht kundër lejimit të zgjerimit gjeografik të kësaj lufte”, deklaroi ai gjatë një konference për shtyp në Berlin.
Më herët, edhe Turqia kishte reaguar ndaj sulmeve, duke i cilësuar ato si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe duke kërkuar që anijet tregtare të mos bëhen objektiv i operacioneve ushtarake.
Kievi, nga ana e tij, ka argumentuar se sulmet ndaj anijeve ruse janë pjesë e mbrojtjes legjitime kundër Moskës.
Pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme evropiane për Ukrainën që prej nisjes së pushtimit rus në vitin 2022, zhvillimet në Libi kanë nxjerrë në pah shqetësimet e disa aleatëve të Kievit për rrezikun e shtrirjes së konfliktit në territore të tjera.
Top Channel