Alarm në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv, avioni amerikan inspektohen menjëherë pas uljes pas një njoftimi për bombë në bord
Një operacion i vështirë shpëtimi në Sardenjë të Italisë ka përfunduar me sukses, pasi një 31-vjeçar, i cili mbeti i bllokuar për 26 orë brenda një shpelle, është nxjerrë i gjallë në sipërfaqe.
Luca Olmeto ndodhej rreth 10 metra nën tokë, në shpellën Gorropeddu, në pjesën qendrore-lindore të Sardenjës, kur një rrëshqitje dheu të dielën, më 11 tetor, bllokoi plotësisht hyrjen dhe i preu rrugën e daljes.
31-vjeçari po eksploronte shpellën së bashku me partneren e tij, e cila ndodhej disa metra pas tij. Ajo arriti t’i shpëtonte shembjes pa pësuar lëndime dhe njoftoi menjëherë autoritetet.
Pas marrjes së alarmit, ekipet e shpëtimit nisën një operacion të vështirë, duke punuar pa ndërprerje për të larguar gurët dhe dheun që kishin bllokuar kalimin e ngushtë. Gjatë gjithë kohës, Olmeto qëndroi i vetëdijshëm dhe arriti të komunikonte me shpëtimtarët.
Pas 26 orësh përpjekjesh, speleologu u nxor përfundimisht nga shpella të hënën pasdite, më 12 tetor.
Sipas Rai News, pas nxjerrjes në sipërfaqe, 31-vjeçarit iu dha ndihma e parë dhe më pas u transportua me helikopter drejt spitalit për kontrolle dhe trajtim të mëtejshëm.
Lajmi për përfundimin me sukses të operacionit u bë i ditur edhe nga Shërbimi i Zjarrfikësve të Italisë, i cili njoftoi se pas shpëtimit, burri iu dorëzua personelit shëndetësor.
Operacioni u zhvillua në kushte të vështira, për shkak të hapësirës së ngushtë dhe gurëve që kishin bllokuar daljen, ndërsa qëndrimi i 31-vjeçarit për më shumë se një ditë nën tokë e bëri ndërhyrjen edhe më delikate.
Top Channel