Milani po nxiton të kompletojë organikën në këto ditë të fundit të merkatos dhe sulmi e mbrojtja janë repartet ku Maldini kërkon t’i sjellë emra të rinj në dispozicion trajnerit Stefano Pioli.

Kështu siç raportojnë mediat italiane, klubi kuqezi ka arritur të marrë miratimin e sulmuesit norvegjez Jens Petter Hauge për transferimi ne menjëhershëm në Milano dhe tani po negociojnë me skuadrën që ka në pronësi kartonin e tij, Bodo/Glimt. Milan dhe klubi norvegjez u përballën një javë më parë në sfidën e vlefshme për eliminatoret e Europa Leagues dhe që atë ditë janë në kontakt të vazhdueshëm, ndërsa momentalisht oferta dhe kërkesa janë në një distancë prej dy milionë eurosh.

Klubi norvegjez kërkon 6 milionë euro për kartonin e 21-vjeçarit, ndërsa Maldini deri tani ka ofruar 4 milionë euro, por duke qenë se në garë për sulmuesin po përfshihen edhe gjermanët e Leipzig, drejtuesit e Milanit mund të pranojnë të kënaqin kërkesën e Bodo/Glimt. Sa i përket repartit të mbrojtjes, orët e fundit ka dalë në skenë një emër surprizë, ai i japonezit Takehiro Tomiyasu. Ky i fundit është pjesë e Bolognës që prej verës së kaluar dhe numëron plot 30 ndeshje me fanellën e klubit emilian.

Japonezi është vetëm 23 vjeç dhe luan mjaft mirë si në qendër ashtu edhe në krah të mbrojtjes, ndaj shihet si një investim mjaft interesant nga kuqezinjtë që janë gati ta “rrëmbejnë” nga Bologna, e cila kërkon të paktën 15 milionë euro për kartonin e tij.

Top Channel