Arrihet marrëveshja mes klubeve, Paqueta drejt transferimit në kampionatin francez

29/09/2020 23:35

Pas një sezoni e gjysmë me Milanin, fantazisti brazilian Lucas Paqueta është gati të nisë një tjetër aventurë, këtë herë në kampionatin francez, ku do të firmosë me skuadrën e Lyonit.

Lajmi është dhënë pasditen e sotme nga mediat italian,e të cilat duke cituar burime pranë klubit kuqezi, raportojnë se është arritur marrëveshja mes Milanit dhe Lyonit për çmimin e kartonit dhe se fantazisti brazilian pritet të mbërrijë nesër në Francë.

Futbollisti pritet që brenda ditës së nesërme të kryejë edhe vizitat mjekësore, para se të firmosë një kontratë 5-vjeçare me klubin e Lyonit, ndërsa paga pritet të jetë pak a shumë e njëjtë me atë që merr aktualisht te Milani. Ndërkohë marrëveshja me kuqezinjtë është arritur për shitjen përfundimtare të kartonit për shifrën e 21 milionë eurove, ndërsa Milani ka ruajtur edhe një përqindje nga rishitja, për të arritur në një total prej 25 milionë eurosh.

Kujtojmë që fantazisti brazilian u ble nga Milani në tetor të 2018-ës për shifrën e 35 milionë eurove, pas një këmbënguljeje nga ana e Leonardos, por pas një sezoni e gjysmë me fanellën kuqezi, nuk ka arritur të fitojë një vend titullari, ndonëse ka pasur mundësinë të punojë me trajnerë të ndryshëm.

Top Channel