Një dashuri si e Leonidit dhe Myrvejlit (refleksion mbi librin “Letra grues seme të vdekun” të Gjovalin Gjadrit)

28/09/2020 18:04

Nga Liridon Mulaj

“E dashuna jeme. Sot me tre shtator janë mbushë shtatë vjet qysh se jemi martue e nuk jeton ma” Kështu fillon libri “Letra grues seme të vdekun” shkruar nga Gjovalin Gjadri në vitin 1941. Tetëdhjetë vite më parë, një inxhiner urash i kthyer nga Austria në Tiranë, dashurohet me Zejnepin, të bijën e Abdi bej Toptanit dhe që nga këtu nis saga e një jete të pështjelluar e të rrëmbyeshme e cila teksa rrëfehet rresht pas rreshti, të krijon nje lloj konfuzioni të thellë i cili të shtyt te mendosh se si është e mundur që në kaq pak vite, dy të dashuruar kapërcejnë kaq shumë pengesa e ndërsyjnë shtigjeve të thella të cilat fatkeqësisht për Zejnepin, përsonazhin pothuajse kryesor të veprës, ngushtohen në fund deri në një zgjidhje të dhimbshme, vdekjen e saj.

Teksa lexon këtë vepër elegjike , përkthyer nga gjermanishtja mjeshtërisht në gegënishten letrare nga prof. Ardian Ndreca, të krijohet në gjoks një lëmsh i fortë dhe i pazgjidhshëm. Padurimi nis e të mbërthen dhe mendon sesi padrejtësitë e jetës shkatërrojnë ëndrrat rinore dhe padashje lidh dashurinë me dhembjen, triumfin me humbjen dhe të ngërthen frika e bestytnive të cilat jehojnë pas veshi e na thonë se historitë e mëdha të dashurisë nuk ekzistojnë e nëse po, nuk e kanë të gjatë. Në pothuajse të gjithë letërsinë shqipe është e pamundur të gjesh një përshkrim kaq të thellë dhe të ndjeshëm të dashurisë.

Këtë vajtim të paskohshëm dhe këtë lloj vuajtje deri në fatalitet që Gjovalini përjeton për humbjen e gruas tij. Një barrë e madhe faji të cilën përpara se të ja ngarkojë natyrës dhe Zotit i verbuar nga dhimbja , Leonidi ( siç Gjovalini vetëquhet në libër) ja ngarkon familjes së Zejnepit të cilët mbërthyer nga frika e gjykimit të dokeve dhe zakoneve e pashmangashmërisht nga feja e kundërt , ndërpresin çdo komunikim me të bijën duke ja shtuar asaj mërzitë dhe dhimbjet e kështu rrjedhimisht duke marë pjesë drejtpërdrejte në avancimin e sëmundjes saj e cila më vonë i merr dhe jetën. Eshtë dëshpërimi përballë arsyes, jeta përballë vdekjes dhe dashuria përballë dhembjes. Elementë të cilët për shekuj me rradhë kanë shoqëruar letërsine e shkruar në botë.

Në këtë rrafsh , tradita e letërsisë së shkruar shqipe ka qënë e mangët, duke i drejtuar subjektet më së shumti nga kumti kombëtar dhe atdhetar gjatë përiudhës së rilindjes. Drejt dashurisë për partinë gjatë regjimit komunist e duke mbërritur gjer në letërsinë bashkëkohore të pas komunizmit ku subjektet evidentuan dhe nxorrën në pah lirisht ndjenjat mes mashkullit dhe femrës. Në kohë lufte, ku Shqipëria dhe integriteti i saj varej nga fuqitë mëdha, ku lufta ishte në kulmin e saj dhe ku figura mashkullore qëndronte e pacënuar nga burrëria, Gjadri na sjell një vepër krejt tjetër, karakterizuar nga brishtësia dhe dashuria e pashoqë e cila e vë pozitën mashkullore në të tjera pozita të pakumtuara më parë. Rrjedhshmëria e prozës, dhimbja e thellë e shprehur filozofikisht, diçka që kapërcen tej një vepre të thjeshtë letrare të atyre viteve, ku vetëm figura të mëdha të letersisë si Ernest Koliqi guxonin e dilnin jashtë kornizave të arkaizmit ku krahas epikes që përbëntë të shumtën e subjekteve të novelave, përçontë dhe nota të thella lirizmi dhe romantizmi si pjesë e pandashme e realitetve të asaj kohe në malësine e Veriut.

Teksa lexoja veprën e Gjadrit, vëreja ngurimin për ti hyrë në thellësi ngjarjeve , përjetimeve rrëfyese gjatë kohës kur ishte njohur me Zejnepin. Marrëdhënien e ndërlikuar me të vjehrrin apo dhe kunatin. Kohën kur ata martohen pa miratimin e tyre dhe vitet para se Zejnepi të sëmurej. Ka mangësi në detaje dhe kjo hera herës më revoltonte gjatë leximit të librit pasi interesi im ishte tejet i madh për të kuptuar më qartë veprimet dhe pasojat e një kulminacioni në marrëdhënien e ndërlikuar mes dy të dashuruarve.

Por siç e sqaron në fund dhe vetë autori , duke mos qënë mirefilli shkrimtar, ai kishte nguruar të hynte në thellësi të detajeve nga frika e devijimit të qëllimit të vepres, e cila fatkeqësisht fillim e fund bashkangjitur dashurisë ka dhimbjen e ku përfundimi i të dyja këtyre ndjenjave sa njerëzore aq dhe hyjnore është vdekja e më pas amshimi në të cilën Gjadri nën ndikimin e vërbërisë që i kishte shkaktuar vdekja e së shoqes rrëfen që nuk e besonte. Por me veten time këmbëngulja në idenë se nëse Gjadri do kishtë qënë shkrimtar dhe do ishte nisur nga dëshira që përtej dhimbjes , të shkruante një roman , mendoj se sot do flisnim për një kryevepër të letërsisë shqipe shkruar për dashurinë apo siç Kadareja e ka quajtur këtë libër, një himn i rrallë për gruan. Dhimbja të kaplon pashmangshmërisht dhe e gjen veten në rolin e të pafuqishmit për të ngushëlluar, është kjo qasja që autori ka ndaj lexuesit dhe pse është e qartë se autori nuk është nisur nga ky qëllim, madje as nga qëllimi që ky libër të lexohet nga dikush por vetëm si një testament dashurie shkruar së shoqes pas vdekjes por a mundesh vallë të jesh kaq i pamëshirshëm me veten dhe njëkohësisht me lexuesin i cili e ndjen veten të pafuqishëm përballë kësaj dhimbje të përmasave tragjike?

Dhe të vijnë ndërmend të gjithë rreshtat e romaneve të mëdha shkruar grave të vdekura, dhe teksa i krahason ka gjithmonë elementë dallues që të japin efekte të ndryshme, dhe pyet veten pse te Gjadri, dhimbja është kaq e fortë, kaq e pangushëllueshme? Sipas Ernesto Sabatos, ndjesia e dhimbjes pas vdekjes së Alehandrës tek romani “ Mbi heronjtë dhe varret” përshkruhet kështu : “Në atë çast qe sikur t’ia shqitnin zemrën nga gjoksi dhe t’ia copëtonin për tokë, duke ia goditur me një gur , ose sikur t’ia shkulnin me një thikë çallatë dhe pastaj t’ia shqyenin me thonj” Në vrazhdën e krahasimeve të cilat më lindën vetvetiu mbi përshkrimet e autorëve të mëdhenj mbi vdekjet e mëdha të të dashurave të zemrës hapa dhe romanin e Orhan Pamuk “ Muzeu i pafajësisë ku rreshtat përshkrues për vdekjen e Fysunit i mbyll me fjalët “Fysuni nuk kishte pësuar asnjë dëmtim në shpirtin e saj , të cilin kisha dëshiruar ta kisha gjithnjë pranë” .

Si një fëmijë i cili rend drejt krahasimit të lodrës së tij më të një moshatari të tij duke dashur të sigurohet se ajo e tija është ende më e bukura ( kjo vjen për shkak se letërsinë e dua siç një fëmijë do lodrën e tij) dhe unë në këto fjali që përshkruanin dhimbjen nuk arrija të kuptoja se pse dhimbja e Gjadrit ishte kaq sublime dhe e ngrohtë, pa ftohtësine e cila karakterizon dhimbjen në një roman të mbushur me figura letrare dhe përkujdesje stilstike. Atëherë pse dhimbja e Gjadrit ishte kaq e pangushëllueshme dhe fataliste sa te ngjante si një shteg që për fund ka një humnerë dhe ti i pashpresë e gjen veten në zgrip të saj , pa rrugëdalje? Përgjigja e pyetjes e cila është aty në çdo rresht vjen e përmbledhur qartësisht në fundin e veprës ku autori shprehet: “Kurrkush s’mundet me e matë dhimbjen e unë mundem me thanë veç këtë, se duhet me e pasë përjetue vetë për me kuptue se çka domethanë me e pa të dashunën tande në arkivol dhe me ndëgjuë fëmijën tand tue qa” pasi e mbaron së lexuari pason vetëm heshtja e pas heshtjes pushtohesh nga frika e humbjes. Reflekton për historinë e tyre sa të bukur aq dhe tragjike.

Përshkrimet dhe fjalët rrënqethëse të Gjovalinit, vendet ku ai kishtë përshkuar dhe dhimbjen e tij të pashërueshme të cilën pafundësisht rrekej ta zhbënte në përpjekjet e tij pa sukses. Shembullin e pashoq të një mashkulli të dashuruar dhe të ndershëm, që krejt papritur jeta e detyron të çajë mespërmes dallgët e larta të një deti të stuhishëm që lë në trupin dhe shpirtin e tij vragat e zeza të humbjes, e cila do shërohej vetëm me vdekjen “Jeta nuk është teatër , asht nji luftë , ku në fund pushtetin e ka vdekja” shkruan Gjadri në një nga letrat drejtuar së shoqes Zejnepit dhe s’ke sesi të mos mendosh për gjithçka që të rrethon, për vlerën e dashurisë dhe burimet e saj. Për hollësitë e jetës të cilat na bëjnë të kuptojmë se çastet janë ato që përbëjnë kuptimin e saj e se mbi gjithçka dhe çdo qënie të kësaj bote qëndron ajo, dashuria.

Top Channel