Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mirëpritur propozimin e ambasadorit Richard Grenell, që liqeni i Ujmanit të quhet “Liqeni Trump”. Hoti theksoi në mesazhin e tij në Facebook se kontributi i presidentit Donald Trump, për arritjen e marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, është i padiskutueshëm.
“E kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”, ka shkruar ai.
Në profilin e tij në Twitter, i dërguari i posaçëm i Washingtonit për dialogun Prishtinë-Beograd shkruante se të dy palët kanë rënë dakort për ndryshimin e emrit të liqenit më të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.
“Ajo se si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi, ka qenë një çështje delikare pavarësisht kompromisit të farkëruar nga Shtetet e Bashkuara për një studim fizibiliteti, për të krijuar vende pune dhe më shumë energji për rajonin. Kështu që të dyja palët kanë rënë dakord për një emër të ri: Liqeni Trump”, thuhej ne mesazhin e Grenell.
Top Channel