Prokuroria e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë, tha të enjten se është arrestuar Sali Mustafa, në bazë të një urdhër arresti të saj dhe akuzës së konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Gjykatës së Posaçme.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet e zoti Mustafa është transferuar në njësitë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara, emri me të cilin njihet Gjykata e Posacme dhe do të dalë “pa vonesë para gjykatësit”.
Prokuroria nuk dha më shumë hollësi për arrestimin dhe as për akuzën kundër zotit Mustafa i cili ishte marrë në pyetje vjeshtën e vitit të kaluar.
Ky është arrestimi i parë i kryer nga Gjykata e Posaçme e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.
Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.
Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s. /VOA/
Top Channel