“Do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”/ Spiropali i përgjigjet Ramës: PS të gjejë forcën të vetëpastrohet, pa smërçe e pehlivanllëqe

21/06/2026 17:26

Deputetja e PS, Elisa Spiropali, ka reaguar me anë të një statusi në Facebook, duke shkruar se Shqipëria do e ketë Marrëveshjen e Re.

Në postimin e saj, ajo nuk i kurseu kritikat për Partinë Socialiste, duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë u shpreh: “Është edhe një thirrje për një Shqipëri të re, dhe ka dhe disa shpirtra të humbur në partinë tonë, që duan një Shqipëri të re. Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar. Por kam frikë se nuk do vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është si të gjitha siluetat e flamingove, njërën prej të cilave e mbante Fatos Lubonja. Fatosi poshtë, flamingo lart dhe ‘hi hi hi hi Shqipëria e re’. Do kritikohemi e sulmohemi, por kemi detyrimin të mos zgjedhim rrugën e lehte, të mos zgjedhim të jemi popullorë, kur duhet të jemi të përgjegjshëm”.

Ajo ka shkruar se për ta bërë Shqipërinë europiane, PS duhet të vetëpastrohet dhe të bëhet më demokratike.

“Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë.

Shqipërinë që duam të ndërtojmë duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane.

Për ta arritur këtë, Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe.

Ta bëjmë Marrëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh, se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin”, shkruan Spiropali.

Top Channel