“Sa i përket Asociacionit, kjo temë nuk diskutohet sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013, kjo nuk është temë që do të hapet në procesin e dialogut, nuk e di a do të mbahet takimi i radhës në Bruksel”, ka thënë kryeministri Avdullah Hoti.

Shefi i ekzekutivit edhe njëherë tha se Kosova i ka kryer kompromiset sa i përket çështjes që lidhet me dialogun dhe bisedimet me Serbinë.

“Kompromisi më i madh qe kemi bërë ne është që të pranojmë te futemi ne proces te dialogut. Ju i dini vendimet në fillim të mandatit, heqja tarifës dhe reciprociteti, këto janë kompromiset, Kosova i ka kryer kompromiset në vitin 2008”, tha Hoti.

Ndërsa për çështjen e zgjedhjes së presidentit, pasi te kalojë mandati i presidentit aktual Hashim Thaci, Hoti tha se çështja e presidentit kërkon përfshirje përtej koalicionit qeverisës.

“Kur te vjen shkurti i vitit 2021 duhet të ulemi të gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Duhet të ulemi përtej koalicionit për këtë çështje”, tha Hoti.

Këto Hoti i tha në një konferencë për media në të cilën doli të flas për problemet e prodhuesve të qumështit.

“Ka dy javë që prodhuesit e qumështit, fermerët kanë vështirësi në plasimin e qumështit të tyre. Për shkak te situatës që është krijuar në treg nga pandemia ka ngopje të tregut me qumësht dhe përpunuesit e qumështit e kanë të pamundshme ta shesin qumështin në treg dhe kanë vështirësi të pranojnë qumësht nga fermerët”, tha Hoti.

Ai tha se institucionet përgjegjëse janë në teren për t’u siguruar që te zbatohet ligji.

“Do të inspektojmë tregun për tu siguruar që konsumatorët të kenë të qartë se çka blejnë. AVUK do të jetë shumë angazhuar në terren për të marrë mostra. Është obligim ligjor të jemi rigoroz në terren ndaj atyre që shkelin ligjin duke mos i shitur produktet ashtu siç shkruan në etikete”, tha Hoti.

Top Channel