Një ish dentist që qe filmuar duke i hequr dhëmbin një pacienti duke qëndruar në ekuilibër mbi një ‘hoverboard’ është dënuar me 12 vjet burg, njoftonin autoritetet e shtetit verior amerikan Alaska.
35 vjeçari Seth Lookhart u dënua me akuzat e skemës së zhvatjes, ushtrim ilegal profesioni dhe rrezikim të pakujdesshëm.
Gjykata e kryeqytetit te Alaskes, Anchorage dha për Lookhart dënimin me 20 vjet burg, tetë vjet të pezulluara, që do të thotë se ai duhet të kryejë 12 vjet prapa hekurave.
Ai gjithashtu nuk mund të praktikojë profesionin e dentistit gjatë 10 viteve të lirisë me kusht.
Lookhart kërkoi ndjesë për veprimet e tij me anë të një deklarate.
“Unë jam kujdesur për të lehtësuar dhimbjen e shumë njerëzve në nevojë por e di se duhet të kisha ruajtur disiplinë më të mirë në shërbimin e pacientëve”.
Çështja e tij mori vëmendje të gjerë vitin e kaluar prej pamjeve ku ai shihej të hiqte dhëmbin e një pacienti në narkozë, teksa drejtonte në ekuilibër mjetin personal të lëvizjes ‘hoverboard’. Dentisti ‘kaubojs’ kishte filmuar procedurën dhe ia kishte dërguar pamjet disa njerëzve.
Në një prej bisedave për episodin Lookhart thoshte me tallje se kryerja e procedurave dentare mbi ‘hoverboard’ ishte standardi i ri i kujdesit,” sipas padisë.
Lookhart u zbulua më tej se kishte kryer anestezi te pacientët qindra herë jashtë kompetencave të tij dhe pa miratimin e tyre, me qëllim përfitimin nga skema e sigurimeve shëndetësore dhe eprorët e tij.
Disa pacientë dëshmuan se ishin zgjuar për të parë se Lookhart kishte riparuar ose hequr dhëmbin e gabuar.
Top Channel