Eksportet kanë vijuar përmirësimin edhe gjatë gushtit, por mbeten ende shumë larg niveleve të një viti më parë.

Instituti i Statistikave raporton se muajin e kaluar eksportet arritën vlerën e 20 miliardë lekëve, me një tkurrje prej 3.4% kundrejt një viti më parë , teksa kundrejt korrikut rënia vlerësohet më e thellë prej 21.1%.

Ndikimin më të madh në ecurinë pozitive të eksporteve e ka dhënë grupi i tekstileve dhe këpucëve, të njohura ndryshe si fasonët të cilët kanë parë një rritje të ndjeshme prej 5.2%. Përfaqësuesit e sektorit shpjegojnë se rritja ishte e pritshme dhe lidhet kryesisht me mbylljen e kontratave të planifikuara për sezonin vjeshtë-dimër 2020.

Florian Zekja, përfaqësues i industrisë fason:“Rritja ishte e pritshme, e parashikuar siç ndodh çdo vit në këtë periudhë, shtoi kësaj edhe faktin se Italia ka shfaqur interes të shtuar për artikujt sanitarë dhe spitalorë. Problemi do të fillojë sërish nga fundi i Shtatorit dhe Tetorit pasi nuk ka asnjë kontratë të re në horizont.”

Përmirësimi i eksporteve në gusht u mbështet gjithashtu edhe nga grupi i Ushqime, pije dhe duhan” pasi shënoi një rritje prej 3.5% muajin e kaluar.
Por, goditjen më të fortë në gusht e ka dhënë grupi i makinerive dhe pjesëve të këmbimit, pasi statistikat zyrtare tregojnë për një rënie të thellë prej 9.2%, teksa ndikim jo të vogël ka dhënë edhe ulja prej 3.6% e eksporteve të grupit lëndë, djegëse dhe energji elektrike.

Ndërkaq, edhe importet e mallrave nga ana tjetër arritën në 48 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 7% kundrejt një viti më parë.
Teksa efektet e pandemisë Covid-19 vijojnë të jenë ende prezente, duket se eksportet do të kërkojnë kohë për rimëkëmbjen, një situatë e cila do të varet shumë edhe nga vendet partnere.

Genta Dobra

Top Channel