Ushtria e Venezuelës tha se ka goditur dhe rrëzuar një avion të vogël drogash që kishte hyrë ilegalisht në hapësirën ajrore të vendit.
Ministri i brendshëm Nestor Reverol tha se ngjarja ishte e ngjashme me atë të korrikut kur ushtria rrëzoi me mjete kundërajrore një tjetër avion që tentonte të kalonte droga ilegalisht drejt SHBA.
“Kemi goditur trafikun ajror të drogës me rrëzimin e një avioni të vogël të regjistruar në SHBA, i cili hyri ilegalisht në hapësirën venezuelane nga shteti i Zulia,” tha Reverol në një deklaratë.
“Pas pikasjes së njësisë ilegale ajrore nga radarët e forcave mbrojtëse, zyrtarët aktivizuan protokollin e caktuar për Kontrollin e Plotë të Mbrojtjes Ajrore”, shtoi minsitri duke iu referuar autorizimit për të hapur zjarr avionëve të dyshuar si të kartelëve të trafikut të drogës.
“Ne mbetemi në vigjilencë për monitorimin e hapësirës ajrore dhe ndalimin e trafikut të drogave nga Kolumbia, që është prodhuesi më i madh i kokainës në botë”, shtoi ministri duke hedhur baltë mbi rivalin fqinj të vendit.
Në 2013, Presidenti venezuelan Nicolas Maduro nënshkroi ligjin e rëzimit të avionëve që ai quante narko-mafia që kalonin në hapësirën ajrore të vendit.
Top Channel