Edhe pse korriku dhe gushti kanë shfaqur shenja përmirësimi në performancën e të ardhurat buxhetore, situata është ende larg asaj të një viti më parë, për shkak të pandemise Covid-19, pasi për 8-mujorin Ministria e Financave raporton se gropa në arkën e shtetit përllogaritet 280 milionë euro.
Pavarësisht se në arkën e shtetit janë futur 270.7 miliardë lekë gjatë periudhës Janar-Gusht, të dhënat zyrtare tregojnë se kanë parë një tkurrje të fortë me 35.2 miliardë lekë kundrejt një viti më parë.
Por, ku mungojnë paratë?
Goditjen më të rëndë e kanë pësuar të ardhurat tatimore, pasi arkëtimet nga TVSH-ja, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale si dhe taksat nacionale janë ulur me 11.7% gjatë 8-mujorit, duke arritur në 141.6 miliardë lekëve, ekuivalente me 151 milionë euro.
Më pak të ardhura janë mbledhur edhe nga doganat që kanë shënuar një rënie prej 11.9 miliardë lekësh kundrejt vitit 2019, ku tkurrja më e fortë është evidentuar tek të ardhurat nga renta minerare me 19.8% si dhe nga TVSH-ja e mallrave të importit përkatësisht me 11.9%
Shpenzimet nga ana tjetër gjatë 8-mujorit arritën në 323 miliardë lekë, duke pësuar një rritje prej 4.3% për shkak të fondeve që kanë shkuar për plotësimin e paketave financiare të orientuara në ndihmë të individëve që humbën punën dhe bizneseve në vend.
Ndërkaq, sa i takon defiçitit buxhetor, Financat raportojnë se ka arritur në nivelin e 438 milionë eurove, nga 540 milionë euro që është parashikuar në aktin e fundit normativ të qeverisë.
Genta Dobra
Top Channel