Nëna dhe babai që deklaruan të humbur bijën e tyre adoleshente para disa javësh në Britani, janë akuzuar tashmë për vrasjen e saj.
17 vjeçarja Bernadette Walker, u shapll e humbur nga Sarah e Scott Walker në krahinën e Cambridgeshire, pasi nuk ishte parë prej tre ditësh. Zonja Walker, 37 vjeçe dhe burri i saj 50 vjeçar, dolën para gjykatës së Peterborough për vrasjen e bijës së tyre dhe iu caktua masa e paraburgimit.
Ata thanë se e kishin parë për herë të fundit bijën e tyre më 18 korrik kur ajo doli nga makina dhe u zhduk.
Në deklarimin e humbjes së vajzës, nëna e saj thoshte: “Nuk ha e nuk fle dot, më mungon shumë princesha ime. Ajo i mugon shumë dhe motrës së vogël që sapo ka mësuar të buzëqeshë. Shpresoj të jetë fshehur në shtëpinë e ndonjë shoqeje, nuk mund të mendoj dot për alternativa të tjera”.
Policia ka kryer kërkime të gjera për gjetjen e adoleshentes dhe në fundjavë nisi hetimet për “vrasje pa trup të viktimës”. Zoti Walker u arrestua të shtunën kurse nëna e viktimës nëj ditë më vonë.
Hetuesi Jon Hutchinson nuk dha shumë detaje mbi hetimet apo motivin e ngritjes së akuzës, por tha: “Grupi ynë ka bërë progres të konsiderueshëm me çështjen në ditët e fundit por ende nuk kemi gjetur trupin e Bernadette. Prandaj lutemi për këdo që ka informacion mbi atë që i ka ndodhur ose venndodhjes së trupit të viktimës, të na kontaktojë”.
Top Channel