Senati nuk arriti përsëri të enjten të miratojë një paketë të re ndihmash në përgjigje të koronavirusit, një tjetër dështim në një seri negociatash të pasuksesshme për t’u ofruar mbështetje miliona amerikanëve të goditur nga pandemia.
Propozimi prej 500 miliardë dollarësh i prezantuar nga republikanët nuk arriti të kalojë në fazën e debatit pasi mori 52 vota pro dhe 47 kundër. Avancimi i projekt-ligjit kërkon mbështetje me 60 vota.
Dështimi shton shanset që ligjvënësit të mos arrijnë të miratojnë paketën e ndihmave para zgjedhjeve të 3 nëntorit. Anëtarët e Kongresit pritet të largohen nga Uashingtoni për fushatat zgjedhore në shtetet përkatëse, pasi arritën miratimin e një rezolute që mundëson financimin e operacioneve të qeverisë federale pas afatit të 30 shtatorit.
Dështimi i së enjtes nënkupton që miliona amerikanë që kanë humbur punën nga mbylljet e imponuara nga pandemia në pranverë nuk do të marrin asistencë federale për papunësinë.
Në bazë të ligjit me mbështetje dypartiake që lëvroi një paketë prej 3 trilionë dollarësh, ata që kishin humbur punën merrnin 600 dollarë në javë si asistencë papunësie. Kjo ndihmë përfundoi në fund të korrikut.
Propozimi i republikanëve në Senat premtonte të mbulonte pagesat për asistencë papunësie, koston e çerdheve dhe kopshteve për fëmijët si dhe testet e koronavirusit dhe do të ofronte mbrojtje nga paditë gjyqësore për bizneset, shkollat dhe objektet e kultit që hapen gjatë pandemisë.
Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, e cilësoi kundërshtimin e demokratëve ndaj propozimit si një përpjekje për të politizuar ndihmën përpara zgjedhjeve të nëntorit.
“Senatorët që ndajnë qëndrimin toksik të udhëheqësit demokrat, që mendon se armiku i vërtetë janë kundërshtarët politikë, mund të ndjekin udhëheqjen dhe të votojnë kundër. Ata mund t’u tregojnë familjeve amerikane se merakosen më shumë për interesat politike se sa t’i ndihmojnë ata. Por senatorët që duan të ecin përpara do të votojnë pro. Ata do të votojnë për të çuar përpara këtë proces në mënyrë që ta transformojnë atë në një produkt dypartial dhe ta bëjmë ligj për popullin amerikan,”u shpreh zoti McConnell në Senat të enjten.
Demokratët e Kongresit kanë argumentuar se nevojitet një ndihmë më e madhe, duke përdorur Aktin e Heronjëve prej 3 trilionë dollarësh të miratuar në qershor nga Dhoma e Përfaqësuesve që kontrollohet nga demokratët, si një pikë fillestare në negociata.
“Të mos dalim me një projektligj të dobët kur kemi probleme të mëdha”, tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi të enjten, duke folur për kundërshtimin e saj ndaj propozimit të republikanëve para gazetarëve.
“Na duhet çdo qindarkë në mënyrë që ta ndalojmë këtë. Dhe kjo është mënyra se si do të hapim ekonominë tonë. Kjo është mënyra se si do të hapim shkollat, në mënyrë të sigurtë, duke dërrmuar virusin”, tha ajo.
Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer e kundërshtoi një koment të republikanëve se propozimi për një paketë më të reduktuar përfaqësonte një kompromis.
“Ndërsa presidenti po gënjente popullin amerikan për koronavirusin, republikanët e Senatit po ndiqnin shembullin e tij. Vetë udhëheqësi republikan foli me grupin e tij (parlamentar) për ‘mungesën e urgjencës’ për të trajtuar problemin”, tha zoti Schumer të enjten.
“Pra, ideja që demokratët – të cilët miratuan një paketë gjithëpërfshirëse të ndihmës në Dhomën e Përfaqësuesve gati katër muaj më parë – janë shkaku i vonesës dhe pengesave është qesharake. Kanë qenë republikanët gjatë gjithë kohës. E tregojnë faktet”.
Ndërsa ekonomia amerikane po tregon disa shenja të rimëkëmbjes, duke përfshirë rritjen e blerjeve me pakicë dhe punësimet në sektorin e hotelerisë, segmentet e tjera kanë qenë më të ngadalta në rimëkëmbje. Sipas Byrosë së Statistikave të Punës, nivelet e papunësisë mbeten të larta, me 29.6 milionë amerikanë që paraqesin kërkesa për të marrë pagesat e asistencës.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën në vdekjet e konfirmuara nga COVID-19, me gati 190,000. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu vendi udhëheqës në botë për rastet e infeksioneve, me 6.3 milionë, gati një e katërta e më shumë se 27.3 milionëve në të gjithë botën, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins./VOA
Top Channel