Kriza e koronavirusit ka prekur të gjitha hallkat e ekonomisë, veçanërisht gjatë tremujorit të dytë për shkak të masave kufizuese të qeverisë. Megjithatë teksa pritej që goditja më e madhe të ndihej në tregun e punës, shifrat zyrtare të Instat tregojnë se efekti negativ nuk ka qenë kaq i lartë.

Shkalla zyrtare e papunësisë arriti në 11.9% sipas Institutit të Statistikave gjatë periudhës Prill- Qershor duke shënuar një rritje të lehtë me vetëm 0.4% kundrejt një viti më parë.

Nga të dhënat e përpunuara rezulton se pandemia ka nxjerrë rreth 49 mijë të papunë për periudhën Janar-Qershor, kundrejt tremujorit të katërt të vitit të kaluar.

Rënia më e fortë e të punësuarve është konstatuar në sektorin privat jobujqësor me 6%, ose rreth 30 mijë më pak të punësuar kryesisht te shërbimet dhe hoteleri turizmi për shkak te mbylljes së bizneseve, ku pavarësisht mbështetjes së dhënë nga qeveria përmes dy paketave të ndihmës, duket se nuk kanë mjaftuar për të ndalur largimet nga puna.

Ndërkaq, bujqësia nga ana tjetër edhe pse ka qenë një ndër sektorët që nuk ka ndaluar aktivitetin edhe gjatë periudhës së karantinës, numëron rreth 18 mijë të larguar nga puna.

Humbje të vendeve të punës janë konstatuar edhe në sektorin shtetëror me mbi 1 mijë individë më pak të punësuar.

Megjithatë, një panoramë më e qartë për papunësinë pritet në fund të Shtatorit, për të parë edhe rezultatet e programeve të punësimit të lancuara nga qeveria për rimarrjen në punë të punonjësve nga bizneset, duke subvencionuar pagën apo kontributet e tyre.

Genta Dobra

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA