Çfarë duhet të dini mbi procesin e ngrirjes së vezëve
Ngrirja e vezëve është një proces nëpërmjet të cilit vezët e pacientes ngrihen dhe ruhen për një kohë të pacaktuar. Kjo ka qenë një ndër përparimet më të mëdha në fushën e riprodhimit të asistuar. Vezët ngrihen nëpërmjet një procedure që quhet “vitrifikim” e cila është një metodë që bazohet në ngrirjen e qelizës pa krijuar kristale akulli, që janë shkatërruese për qelizën, në hapësirën brenda dhe jashtë qelizore.
Proccesi i ngrirjes së vezëve ka filluar në ato pacientë që kishin sëmundje onkologjike dhe kemioterapia apo radioterapia do dëmtonte fertilitetin në mënyrë të pakthyeshme. Duke qenë se trajtimi i kancerit ka avancuar dhe jetëgjatësia e një pjese të mirë është zgjatur, pacientet pasi e kishin kaluar këtë problem në jetën e tyre nuk kishin mundësi për të patur fëmijë. Në të tilla raste ngrirja e vezëve përpara fillimit të trajtimit të kancerit i jep mundësinë atyre që më vonë në jetë të kenë fëmijen e tyre.
Me kalimin e kohës dhe duke parë rezultate premtuese u aplikua në masë për arsye “sociale”. Gratë në vendet e zhvilluara i dedikohen gjithmonë e më shumë karrierës dhe e shtyjnë në kohë krijimin e familjes. Në momentin që ato vendosin për të patur një fëmijë, biologjia e zhvillimit e bën shumë të vështirë ardhjen e një shtatzënie për shkak të moshës. Ngrirja e vezëve në një moshë të re do i jepte mundësinë atyre të kishin mundësinë për të patur fëmijën e tyre.
Fillimisht, cdo paciente e cila ka vendosur t’i nënshtrohet ngrirjes së vezëve, kryen një konsultë me mjekët specialistë të fertilitetit të cilët më pas do të rekomandojnë kryerjen e një sërë ekzaminimeve për të vlerësuar nëse pacientja mundet ose jo t’i nënshtrohet këtij procesi.
Procesi i ngrirjes së vezëve kryhet në këtë mënyrë:
Duke qenë se shtatzënia në të ardhmen do kryhet me Fekondim In-Vitro dhe kjo procedurë nuk është e sigurt që jep shtatzënë, për të rritur shanset e një shtatzënie të suksesshme në të ardhmen, nevojitet të ngrihen mesatarisht 10- 15 vezë por kjo edhe në varësi të pacientit. Nëse pacientja nuk arrin të prodhoje vezë në sasi të mjaftueshme, për pacienten është e nevojshme përsëritja e procedurës.
Procedura e aspirimit të vezëve kryhet nën efektin e sedacionit prandaj pacientja nuk do të ndjejë asnjë lloj diskomforti dhe pacientja mund t’i rikthehet aktiviteteve ditore 2 orë pas procedurës.
Në momentin që pacientja ka vendosur të kalojë në etapën tjetër, pra, konceptimin e një shtatzënie, fillimisht vijohet me shkrirjen e vezëve të cilat më pas fekondohen nga sperma e partnerit të pacientes ose nga një dhurues përmes procedurës IVF (fekondimi in vitro). Tre ose pesë ditë pas kryerjes së fertilizimit, embrionet e përftuara nga vezët e ngrira do të transferohen në mitrën e pacientes që nënkupton edhe fillimin e shtatzënisë.
Dr. Marsel Haxhia
Embriolog i certifikuar nga Shoqata Embriologjike e Riprodhimit Human
Klinika e Fertilitetit Hygeia
Kontaktoni: 04 23 88 918
Top Channel