Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo mbërriti në Izrael ditën e sotme për të filluar një turne pesë-ditor në Lindjen e Mesme.
Vizita e tij fokusohet në normalizimin e lidhjeve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe përpjekjeve për t’i nxitur shtetet e tjera arabe të veprojnë në këtë mënyrë.
Pompeo, i veshur me një maskë për fytyrën me ngjyrat e flamurit të SHBA-së, pritet të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe në ditët në vijim do të vizitojë gjithashtu Sudanin, Bahrejnin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Departamenti i Shtetit. Uashingtoni dhe aleati i tij i ngushtë Izraeli, shpresojnë që shteti hebre së shpejti do të jetë në gjendje të normalizojë lidhjet me vendet e tjera të rajonit, përfshirë disa që kanë armiqësi të thellë me Iranin, raporton AFP.
Në Jerusalem, Pompeo dhe Netanyahu do të diskutojnë “çështjet e sigurisë rajonale në lidhje me ndikimin e Iranit” dhe “krijimin dhe thellimin e marrëdhënieve të Izraelit në rajon”, tha Departamenti i Shtetit.
Top Channel