“Më i qelburi i politikës”/ Paloka: Hipokrizia e Ramës me Teodor Kekon; i largoi nga puna të shoqen

22/08/2020 19:01

Përmes një statusi në Facebook, ish-deputeti i PD-së, Edi Paloka reagoi sa i takon postimit që kryeministri Rama i kushtoi sot artistit të ndjerë, Teodor Keko.

“Hipokrizia është një nga “cilësitë” më tipike të një njeriu të dalë boje si Rama. Sot ka bërë një status për të kujtuar Dor Kekon… Jam i bindur që po ta lexonte Dori atje lart ku është, do kalonte një herë dorën në mustaqe dhe do nënqeshte me atë ironinë e tij dashamirëse”, shkruan Paloka.

Më tej shton:

“Dorin “e vogël” e donin të gjithë dhe i respektonte të gjithë. Nuk dua dhe nuk më takon mua të komentoj marrëdhënien e Ramës me Dorin kur ishte ende mes nesh. Por një fakt të njohur nga të gjithë miqtë e Dorit nuk mund të mos e përmend. Pasi Dori u largua nga kjo jetë, një akt ka kryer Rama që lidhet me të; largoi nga puna Xhulin, bashkëshorten e Dorit, megjithëse e dinte shumë mirë që rroga e shtetit ishte e vetmja e ardhur që kishte.”

Për ta përmbyllur me:

“Pavarësisht se Dori ka qenë gazetar, shkrimtar dhe deputet, ne e dimë të gjithë se ai kurrë nuk u ndye me pisllëqet e politikës. E ky, më i qelburi i politikës, merr guximin sot ta kujtojë sepse kështu është mësuar, të përdorë të gjallë e te vdekur për të marrë prej tyre atë që nuk e ka vetë, vlerat njerëzore!”

Më herët, Rama u shpreh kështu në Facebook:

?HOMAZH
TEODOR KEKO ishte i papërsëritshëm e i paharrueshëm në llojin e vet dhe sot, 18 vjet pas kthimit të trupit të tij pa jetë në atdhe, në fund të një rrugëtimi sfilitës me vdekjen në trup, më është e pamundur ta kujtoj pa vënë buzën në gaz. Zyrtarisht Teodori ishte shkrimtar, poet, gazetar, deputet dhe pijetar. Por në fakt, ai ishte thjesht siç edhe vetëquhej, Dori i Vogël, një fëmijë me një palë mustaqe nga ato të komitëve a të poetëve të fotove të vjetra, që endej rrugëve të qytetit e të shkrimtarisë dhe kthehej gjithnjë e më vonë në shtëpi.
Për herë të parë Teodorin e kam takuar tek dyert e Lidhjes së Shkrimtarëve, kur pata tentuar të botoj pa sukses një shkrim në gazetën “Drita” dhe unë po dilja i ngrysur nga biseda me kryeredaktorin, që më shpjegoi pa durim pse shkrimi im ishte i pabotueshëm, ndërsa Dori po hynte i qeshur, e më mori për një dopio ngushëlluese plot dëfrim në klubin e Lidhjes. Prej asaj dite u lidh ura e miqësisë sonë dhe fjalia, “Pse më je mërzitur të keqen Dori jot?”, u bë si fjalëkalimi në bisedë sa herë takoheshim me njëri-tjetrin. Edhe kur pak e nga pak, vdekja nisi ta zinte vendin e jetës në qenien e tij, fjalëkalimi ishte po ky dhe e qeshura e Dorit nuk kishte asnjë ndryshim, deri në fund fare, kur vdekja u bë si të thuash dashnorja e tij zyrtare.
Teodor Keko i la letrave shqipe një baule me “rraqe” të të gjitha llojeve, të hedhura vrikthi si këpucët e xhaketat e tij kur ia rëndonin këmbë e krahët në fluturimin mbi flatrat e pijes, por ku po të kërkosh i gjen ca xhevahirë që të marrin frymën me bukurinë e tyre. Politikës i la një tog artikujsh, intervistash e fjalimesh në parlament, ku gjithashtu gjenden me pak durim, disa manifestime mbresëlënëse të një vëzhguesi të esëllt të jetës publike. Të gjithë atyre që e njohën u la kujtimin e pashlyeshëm të një njeriu të parobërueshëm brenda asnjë kornize, që e konsumoi jetën me një shpejtësi e furi të pandalshme, si një shishe të pirë me fund. Dhe në fakt, të numëruara kalendarikisht vitet e jetës së tij të ndërprerë në moshën 43 vjeçare janë tmerrsisht pak, por nëse vitet do të numëroheshin në bazë të shpejtësisë e të furisë së të jetuarit, Dori i Vogël jetoi shumë më tepër se bashkëmoshatarët e vet që janë ende gjallë.
S’kam për ta harruar kurrë takimin e fundit me të. Ai e dinte se ishte i fundit dhe qeshte, jo sikur i ishte dorëzuar paqësisht vdekjes, po thjesht vazhdimit në qetësi absolute të jetës së jetuar pa frenim e as kursim, njësoj siç i dorëzohej gjumit lart në shtëpi, pasi kishte pirë në sabah gotën e fundit tek stacioni i tij fundor i endjeve natën, Kafe “Europa”. Dhe kur kujtoj Dorin e Vogël, më duket se ka pasur të drejtë kush ka thënë se të gjallët nuk qajnë të vdekurit, po veten e tyre dhe më vjen të qesh se zëre se e kam përballë, duke më thënë, “Pse më je mërzitur të keqen Dori?”…
#TëPAHARRUESHËM?

Top Channel