9 vjeçari jetim merr mijëra kërkesa adoptimi pas lutjes në videon emocionuese

20/08/2020 20:48

Një djalë jetim nga Oklahoma në SHBA që prej gjashtë vjetësh jetonte në jetimore ose në familje të përkohshme, ka marrë rreth 5000 kërkesa për adoptim pas publikimit të një video emocionuese ku ai lutej për një ‘nënë e baba’.

Në mesazhin e tij nëntë vjeçari Jordan, i cili ka qenë nën kujdesin e institucioneve që prej vitit 2014, pyetej se çfarë dëshironte nëse do t’i plotësoheshin tre dëshira. Ai tha: “Familje, familje, familje – këto janë dëshirat e vetme që kam”.

Jordan tregonte sesi vëllai i tij i vogël Braison u adoptua vitin e kaluar dhe sesi tani shpreson që dhe ai të ketë një “Nënë e baba … ose vetëm një nënë, ose vetëm një baba, nuk ka problem”.

“Arsyeja që kjo është e rëndësishme është sepse mund të kem njerëz me të cilët të flas sa herë të kem nevojë. Shpresoj që ju të gjithë të më zgjidhni mua”, thotë Jordan në video.

Brenda disa orëve familje nga New Jersey, Florida, Illinois e Kentucky kontaktuan me rrjetin që transmetoi videon, duke shprehur interes në adoptimin e tij që Jordan të kishte shtëpinë e përhershme që dëshironte.

Agjencia tha më pas se kishte nevojë për kohë shtesë për të menaxhuar numrin e madh të kërkesave.

“Jemi në procesin e selektimit të profilit të atyre familjeve që janë më të përshtatshme për të”, tha punonjësi social Christopher Marlowe.

Koha e Jordan nën kujdesin e autoriteteve ka qenë e vështirë pasi ka lëvizur shumë herë nga një shtëpi e përkohshme në tjetrën.

“Kemi pasur më parë familje të interesuara për adoptim por pasi treguam të gjitha detajet ato vendosnin se nuk përshtatej me familjen e tyre”, shtoi Marlowe.

Teksa rreth 400,000 fëmijë janë në pritje të adoptimit në SHBA, Marlowe thotë se të gjithë kanë kaluar trauma por Jordan kishte kaluar më shumë se shumica e fëmijëve të tjerë.

Djalit nuk i është treguar për famën e fituar prej tij me dokumentarin, për të qenë sa më të kujdesshëm me kërkesat e adoptimit.

Agjencitë shtonin se kërkonin më shumë familje për të mbajtur fëmijët nën kujdes.

FOTO GALERI
2/6
Me heret me vellane e tij Braison

Top Channel