Mijëra pushues mund të detyrohen të anulojnë planet e tyre, pas vendimit të ri të Mbretërisë së Bashkuar për vendosje të Francës në listën e vendeve të karantinës nga dita e shtunë. Në vendim thuhet se udhëtarëve që kthehen nga Franca, do t’iu duhet t’i nënshtrohen karantinës 14-ditore.
Ky lajm vjen pasi kryeministri francez, Jean Castex, ka thënë se numri i të infektuarve është duke shkuar “ në drejtim të gabuar”.
Të enjen, Franca raportoi 2,524 raste të reja me koronavirus në 24 orë, njëherësh shifrën më të lartë që prej lehtësimit të masave të kufizimit në muajin maj.
Pas vendimit të Britanisë së madhe Franca paralajmëroi se do marrë “masa reciproke”. Sekretari francez për Çështje Evropiane, Clement Beaune, tha se vendimi britanik është i padëshiruar për francezët. Aktualisht besohet se rreth 160,000 turistë britanikë ndodhen në Francë, ndaj ka mundësi që të ketë qarkullime të shumta në aeroporte, me qëllim shmangien e karantinës.
Linjat ajrore në Mbretërinë e Bashkuar e kanë cilësuar vendimin “si një veprim shkatërrimtar për industrinë e udhëtimit e cila është duke u përballur me krizën më të rëndë në historinë e saj”.
Përveç Francës, Britannia e Madhe e ka bërë të detyrueshme karantinën në kthim edhe për udhëtarët që kthehen nga Holanda, Malta, Monako dhe disa vende të tjera e vendimi vjen në një kohë kur Downing street prezantoi disa lehtësime të reja të masave kundër koronavirusit, mes të cilave rihapja e kazinove, bowlingut dhe pistave të patinazhit.
Top Channel