Tirana ka mësuar emrin e skuadrës me te cilën do të përballet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampioneve për sezonin e ardhshëm.
Shorti i hedhur në Nyon të Zvicrës e ka vënë skuadrën 25 herë kampione të Shqipërisë përballë Dinamo Tbilisit, duke bërë që bardheblutë të evitojnë ekipe më të forta si Qarabag, Astana e Maccabi Tela Viv.
Formati i zhvillimit të këtyre ndeshjeve kualifikuese për këtë vit ka ndryshuar në krahasim me vitet e kaluara për shkak të pandemisë coronavirus që ka mbërthyer globin. Ndeshjet e këtij raundi janë unike dhe Tirana do të luajë ndaj Dinamo Tbilisit pikërisht në Gjeorgji duke qenë se ishte kjo skuadër që u shortua e para.
Ndeshjet e këtij raundi të parë të kualifikuese të Ligës së Kampioneve do të luhen në 18 apo 19 gusht dhe në rast barazimi do të kalohet në kohë shtesë e deri te gjuajtjet e 11 metërshave nëse do të jetë e nevojshme. Nëse Tirana fiton do të kalojë në raundin e dytë të kualifikueseve, në rast të kundërt skuadra e Egbo do të luajë në raundin e dytë kualifikues të Europa League.
Top Channel