Privatizimi i ARMO-s në Gjykatë/ Prokuroria kërkon pushim të hetimeve: Faktet nuk parashikohen si vepër penale

09/08/2020 19:51

Është radha e gjykatës për të folur, nëse shitja dhe privatizimi i kompanisë ARMO u krye apo jo nën shpërdorimin e detyrës dhe nëse kjo çështje është hetuar apo jo siç duhet.

Kjo do të vendoset këtu në Gjykatën e Tiranës, pas kërkesës së akuzës që kërkon pushim të hetimeve të dosjes numër 2679 nën arsyetimin se faktet nuk parashikohen nga ligji si vepër penale

Më herët për dosjen ARMO, ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk mundi të gjejë prova për grup të strukturuar kriminal apo shpërdorim detyre dhe në heshtje ia kaloi për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, që referuar akteve të sekuestruara deklaron se gjate tre ankandeve për shitjen e pasurive të debitorit ARMO nuk u paraqit asnjë palë e interesuar. Por në kallëzimin e IZvor 99 , një kompani me marrëdhënie kontraktore  me rafinerinë e naftës ARMO dyshoheshin funksionarë të zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Fier, shoqëria Al Global Oil që bleu në ankand uzinën e prodhimit të bitumit të rafinerisë ARMO, kompaninë IRTC , dhe përmbaruesit që përjashtuan nga ankandi kreditorët.

Në kushtet kur oferta e vetme që u paraqit ishte ajo e shoqërisë Al Global Oil , përmbaruesit ishin të detyruar që brenda afatit treditor nga bërja e propozimit për marrjen e sendit  në pronësi kundrejt kredisë t’ia kalonin kësaj kompanie. Për sa më sipër sugjeron prokuroria çdo pretendim i kallëzuesit  për procedurën e ankandit duhet të zgjidhet me padi civile

Për këtë argument prokuroria bashkëngjit edhe një vendim gjyqësor në prill 2018 ku theksohet se  procedura e kalimit të pronësisë  nga shoqëria debitore Armo të uzinës së përpunimit të naftës te shoqëria Al Global është kryer ligjërisht.

Prokuroria shton në kërkesën për pushimin e hetimeve të njërës prej çështjeve për te diskutuara tre vitet e fundit se edhe Al Global kishte fituar cilësinë e kreditorit ndaj ARMO-s. Ky status nga kërkimet e prokurorisë u fitua përmes transferimit të  kredisë  që kishte lidhur me kompaninë IRTC, edhe ajo e kallëzuar penalisht.

Sidoqoftë derisa gjykata të shprehet, kjo dosje nuk mund të konsiderohet ende e mbyllur, përsa kohë një trupë e mëparshme gjyqtarësh gati një vit më parë kundërshtoi me vendimin numër 1387 mbylljen e hetimeve

Anila Hoxha

 

Top Channel