Rënia dramatike e gazrave që shkaktojnë efektin serë dhe ndotësve të ajrit, e parë gjatë izolimit global, do të ketë pak pasoja në ngrohjen e planetit.

Në një analizë të fundit shkencëtarët sugjerojnë se deri në 2030, temperaturat globale do të jenë vetëm 0.01 gradë Celsius më të ulëta nga sa pritej. Por autorët nënvizojnë se natyra e rimëkëmbjes mund të ndryshojë në mënyrë domethënëse panoramën afatgjatë. Një stimulim i fortë i gjelbër do ta ndalonte botën të kapërcente rritjen me 1.5 gradë Celsius të temperaturës deri në mes të këtij shekulli. Studime të mëparshme kanë përcaktuar se ka patur ndryshime domethënëse në emetimet e gazrave pasi sistemet e transportit u ndalën në botë si pasojë e pandemisë.

Emetimet ditore globale të dioksidit të karbonit, ranë me 17 përqind në kulmin e krizës. Profesori Piers Forster, nga universiteti Leeds, bashkë me kërkues të tjerë, përllogaritën se si 10 gazra të ndryshëm që shkaktojnë efektin serë dhe ndotës të ajrit ndryshuan nga shkurti në qershor në 123 vende. Ata dolën në përfundimin se rënia arriti kulmin në prill, me dioksidin e karbonit, oksidin e nitrogjenit dhe emetime të tjera kanë rënë nga 10 deri në 30 për qind në shkallë globale, kryesisht për shkak të rënies së trafikut. Por studimi i ri tregon edhe se disa rënie të gazrave që shkaktojnë efektin serë kanë anuluar njëri tjetrin në kuptimin e ngrohjes.

Oksidi i nitrogjenit nga transporti, normalisht ka pasoja ngrohëse në atmosferë. Ai ra me 30 për qind e po ashtu edhe dioksidi i sulfurit që shkaktohet zakonisht nga djegia e qymyrit. Emetimit e këtij gazi të fundit ndihmojnë në krijimin e aerosolëve, që reflektojnë dritën e diellit prapa në hapësirë dhe ftohin planetin. Ky balancim, i kombinuar me natyrën e përkohshme të kufizimeve nga pandemia, bëjnë që pasojat në ngrohje deri në 2030, të mos mund të ndjehen shumë.

Top Channel