Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se caku i dialogut me Serbinë është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Hoti tha se qeveria që ai udhëheqë ka hequr nga diskutimet integritetin territorial të Kosovës.

“Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe qasjen izoluese dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog. Këtë e bëmë pa hezitim pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë. Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme. Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t’u përballur është tashmë pas nesh”, tha Hoti.

Partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë kritikuar Hotin për raundin e ri të dialogut në Bruksel, që u zhvillua më 16 korrik.

LVV dhe PDK kanë thënë se Hoti nuk është i përgatitur dhe nuk ka platformë të qartë për dialog.

Edhe këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian paralajmëroi se dialogu i nivelit teknik do të rikthehet më 22 korrik.

Çollaku tha se Kosovës i duhet marrëveshja përfundimtare dhe jo një dialog teknik, që sipas tij, nuk është në interes të shtetit.

Më 16 korrik, pas 20 muajsh, Kosova dhe Serbia zhvilluan raundin e ri të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënive.

Hoti, që u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, tha se në këtë takim është folur për të zhdukurit dhe ekonominë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA