Evropa në “udhëkryq” mbi paketën e rimëkëmbjes nga pandemia

17/07/2020 16:27

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian zhvilluan të premten takimin e tyre të parë ballë për ballë pas pesë muajsh, por kjo nuk duket se do të sjellë ndonjë ndryshim në ndasitë mes tyre mbi një plan shpëtimi të ekonomisë evropiane të lidhur me pandeminë.

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel e cila mbushi sot (e premte) 66 vjeç kthehet në Bruksel jo për të festuar, por për të provuar nëse negociatat me praninë fizike të gjithësecilit mund t’i japin përgjigje pyetjes prej 750 miliardë eurosh.

BE-ja është zhytur në një situatë e rëndë ekonomike shkaktuar nga kriza e koronavirusit dhe zyrtarët evropianë kanë përpiluar plane për një paketë të madhe stimuluese me synimin për t’i nxjerrë vendet e tyre nga situata.

Por disa vende në veri të Evropës, të udhëhequra nga Holanda e Kryeministrit Mark Rutte, janë kundër hedhjes së parave për fqinjët e tyre jugorë pa kushte të forta. Bisedimet e së premtes pritet të vazhdojnë të shtunën dhe mbase edhe të dielën, por pak besojnë se mund të shënohet ndonjë përparim, megjithë afatet e ngushta. Nisur nga kjo pritet një takim tjetër i nivelit të lartë më vonë gjatë këtij muaji.

Mikpritësi i takimit të nivelit të lartë Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian po përpiqet të krijojë një moment kthese pasi video-konferencat e mëparshme lidhur me koronavirusin shërbyen vetëm për të nënvizuar dallimet mes udhëheqësve.

Arritja e një marrëveshje do të kërkojë shumë punë dhe vullnet politik nga të gjithë. Koha është tani. Një marrëveshje është thelbësore“, shkruante ai një letër duke ftuar udhëheqësit evropianë në Bruksel.

Por optimizmi ra ndërsa udhëheqësit u mblodhën në kryeqytetin belg. Disa mbërritën para takimit për të zhvilluar diskutime private përpara ngjarjes kryesore.

Diplomatët evropianë thanë se Holanda do të vazhdojë të këmbëngulë që vendet anëtare të ruajnë të drejtën e vetos kundër çdo vendimi për t’u dhënë kredi vendeve të tjera.

Ata duan që huatë apo grantet të shoqërohen me kushte të rrepta për të siguruar që vendet me borxhe të mëdha si Spanja dhe Italia të kryejnë reforma, nën mbikëqyrjen e Komisionit Evropian. Por kjo kundërshtohet me forcë nga vendet në jug të Evropës.

Si zoti Michel ashtu edhe zonja Merkel, do të luftojnë për të ndërmjetësuar një kompromis të mundshëm.

Ne jemi të hapur për të arritur një marrëveshje këtë fundjavë, por nëse nuk do të ketë një të tillë do të jemi të hapur për negociata të tjera më vonë“, tha të mërkurën ministri i Jashtëm Hollandez Stef Blok.

Holanda është shfaqur si vendi më rezistent. Pozicioni i zotit Rutte është mbështetur edhe nga anëtarë të tjerë të të ashtuquajturit grupi i “Frugal Four” (Katër kursimtarët) ku përfshihet edhe Suedia, Danimarka dhe Austria krahas Holandës. Projekt-plani i zotit Michel parashikon një paketë të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, e përbërë nga 250 miliardë në formë kredie dhe 500 miliardë në grante e subvencione, që nuk do të paguhen nga vendet anëtare që i përfitojnë ato.

“The Frugal four” i kundërshtojnë grantet dhe duan që çdo hua të shoqërohet me kushte.

Kjo paketë vjen krahas buxhetit të planifikuar 7 vjeçar prej 1,074 miliardë eurosh të BE-së prej vitit 2021 deri në 2027, për të cilin udhëheqësit evropianë duhet gjithashtu të bien dakord në javët ose muajt e ardhshëm.

Një marrëveshje nuk është aspak e garantuar, përkundrazi, ekzistojnë dallime të mëdha“, pranoi një zyrtar i lartë evropian.

Përveç paketës së rimëkëmbjes, udhëheqësit mund të përplasen rreth përpjekjeve për të vendosur si kusht për mbështetje buxhetore ato vende anëtare që respektojnë sundimin e ligjit.

Hungaria dhe Polonia, të cilat janë vënë në shënjestër të Komisionit Evropian mbi atë që shihet si anim drejt autoritarizmit, do të bëjnë përpjekje që një kusht i tillë të mos vendoset në buxhet./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA