Pas 20 muajsh ndërprerjeje, në Bruksel rifillon dialogu i drejtpërdrejt Kosovë-Serbi, një proces të cilin Serbia e sheh si të vështirë, ndërsa Prishtina e sheh me qëllimin final arritjen e një marrëveshjeje që të sjellë njohjen reciproke.

Pas dy takimeve virtuale, Samitit të Parisit dhe një video konference të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të gjenden përballë njëri-tjetrit në kryeqytetin belg, në prani të ndërmjetësuesit të BE-së në dialog Mirosllav Lajçak.

Ajo çfarë u arrit gjatë samiti virtual ishte se palët ranë dakord për agjendën e takimit të sotëm, “me elementet kryesore të dialogut Kosovë-Serbi”.

“Jam i lumtur të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të midis Kosovës dhe Serbisë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve është kthyer në rrugë të drejtë pas 20 muajsh. Si rezultat i takimit të sotëm, ne u pajtuam për elementet kryesore të procesit dhe agjendës së takimit tonë të radhës që do të mbahet të enjten në Bruksel. Falenderoj partnerët për angazhimin konstruktiv”, pati deklaruar në atë rast Lajçak.

Para se të niset për në Bruksel, Hoti, takoi përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që angazhohen për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës. Kjo  çështje dhe tema të tjera  do të jenë pjesë e diskutimeve në Bruksel. Ai e bëri të qartë edhe një herë se Kosova hyn në procesin e dialogut me synimin e qartë njohjen reciproke dhe normalizimin e plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, dialogun me palën kosovare e ka cilësuar të vështirë, ndonëse nuk është deklaruar shumë pas takimit të fundit virtual. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se “arritja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi është thelbësore për qytetarët e të dyja vendeve dhe ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse, finale dhe ligjërisht detyruese”.

Top Channel