Koronavirusi/ Mikrobiologu Raka: Kosova e treta në Evropë për infektime

12/07/2020 10:29

Kosova, për mikrobiologun Lul Raka, është aktualisht e treta në Evropë sa i takon numrit të të infektuarve me Covid-19 për 100.000 banorë.

Në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, eksperti u shpreh se ndonëse është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të të prekurve, imunizimi kolektiv merr kohë, dhe hulumtimet globale kanë treguar se është gati i paarritshëm. Ai e vendos Kosovën pas Maqedonisë dhe Suedisë, ndërsa shprehu shqetësim për testet e ditëve të fundit në vend, ku pothuajse gjysma e të testuarve, po dalin pozitivë.

Sipas Rakës, ky është një rezultat i ndryshimit të qasjes së testimit sepse tashmë po testojnë vetëm personat simptomatikë, jo asimptomatikët, edhe nëse ata janë në rrethin familjar, e kjo bëhet për shkak të prioriteteve të testimit. Kjo siç thotë ai, ka ndikuar në rritjen e përqindjes së pozitivitetit. Por, është gjithashtu edhe  reflektim i rritjes masive të përhapjes së koronavirusit në komunitet. Raka nuk beson se Kosova po shkon drejt imunizimit kolektiv.

Një fenomen i tillë sipas tij merr kohë dhe kërkimet globale kanë treguar se është gati i paarritshëm, e për këtë sjell si shembull hulumtimet që tregojnë se vetëm rreth 4 për qind e popullatës janë të prekur dhe pjesa tjetër është ende e ndjeshme dhe e ekspozuar ndaj virusit. Kosova në 24 orët e fundit shënoi katër të vdekur dhe 203 raste të reja me Covid-19.

Top Channel