Aleksandar Vucic deklaroi se nuk shqetësohet se mund të humbasë pushtetin politik mes protestave masive që kanë shpërthyer në Beograd e pjesë të tjera të vendit për shkak të planeve të tij për rikthimin e karantinës.
Presidenti serb thjesht shprehu shqetësim nga përhapja e virusit mes protestuesve: “ Është papërgjegjshmëri t`i mbledhësh njerëzit të protestojnë kur përballemi me shifra të tmerrshme infektimi nga koronavirusi”, deklaroi kreu i shtetit serb.
“ Askush nuk e merr pushtetin me forcë. Pushteti merret me zgjedhje”, shtoi ai. Qindra demonstrues u përleshën përsëri me policinë përpara parlamentit të Serbisë. Protestat që nisën në 7 korrik kundër masave ndaj pandemisë, tashmë janë shndërruar në lëvizje antiqeveritare. Policia përdori gazlotsjellës për të shtyrë prapa protestuesit dhe për t’i parandaluar ata të hynin në godinën e Kuvendit.
Protestat në Beograd u mbajtën pavarësisht faktit se në fuqi është masa e ndalimit të tubimeve të më shumë se 10 personave, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Protesta pati dhe në Nish e në Novi Sad. Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, protestuesit mbanin pankartë me shkrimin : “ Atij që të rreh me shkop, t’i i jep një revolucion”.
Top Channel