Koronavirusi ia doli të lërë derbin e kryeqytetit pa pjesën më të bukur të tij, tifozërinë e zjarrtë, por nuk bëri dot asgjë për të anuluar përballjen Partizani-Tirana, të cilat dhuruan spektaklin e tyre gjatë 90 minutave në stadiumin “Air Albania”.

Pas rreth 48 orësh ankth, të shkaktuar nga infektimi me koronavirus i plot 5 futbollistëve të Partizanit, por edhe vendimit të trajnerit Sormani për të mos qëndruar në pankinë, prej orës 20:45 fjala i kaloi fushës së blertë, ku u zhvillua një sfidë mjaft interesante dhe e luftuar nga të dy skuadrat, që në fund u ndalën në një barazim 1-1, rezultat që nuk i shërben asnjërës.

Pjesa e parë ishte e qetë, me të dy skuadrat që më shumë sesa dëshirë për të fituar, shfaqnin frikë për të mos humbur dhe ishin pozicionuar mirë për të studiuar njëra-tjetrën dhe mos rrezikuar asgjë. Ndryshe nga sa pritej, ishte Partizani disi më i qartë në zbritjet e tij në kundërsulm dhe me disa goditje standarde radhazi, krijoi panik në portën e Likës, ndërsa futbollistët bardheblu krijonin volum, por gabonin thuajse gjithmonë në pasimin e fundit, duke mos krijuar vështirësi për Hoxhën.

Pjesa e dytë filloi me një ritëm krejt tjetër, ndërsa që në fillim ishte sulmuesi Solomon që lëshoi një goditje nga distanca, duke vënë në vështirësi Ilion Likën, që gjithsesi u shfaq i gatshëm të reagojë në mënyrën e duhur. Pak minuta më vonë ishte Doka që gaboi në largimin e një topi me kokë, duke ia servirur sulmuesit kundërshtar Brown mbi vijën e zonës, ndërsa goditja e menjëhershme e tij ishte qendrore dhe u prit nga Lika.

Menjëherë më pas erdhi reagimi i Tiranës, që fillimisht i shkoi pranë golit me Hoxhallarin, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë, ndërsa më pas ishte një ndërhyrje vendimtare e Idrizajt, që ndali gjuajtjen e Torrasës. Nuk munguan as pretendimet për një 11-metërsh, pas një daljeje të Hoxhës ndaj sulmuesit anglez Michael Ngo’o, por arbitri akordoi vetëm rivënie fundore dhe pamjet e përsëritura i dhanë të drejtë atij, pasi kishim të bënim me simulim të shtatlartit bardheblu.

Pas disa dyluftimeve të ashpra në mesin e fushës, ku nuk munguan tensioni e kartonët nag ana e arbitrit, në minutën e 76’ u zhbllokua edhe sfida, pasi ishte braziliani William Cordeiro, i cili pasi u shërbye saktë nga bardhi në zonë, gjuajti menjëherë dhe mposhti portierin Ilion Lika, i ndihmuar edhe nga një devijim i lehtë i Gentian Muçës.

Goli zgjoi Tiranën, që filloi të shohë shumë më shpesh nga zona e portës së mbrojtur nga Alban Hoxha, ndërsa Partizani preferoi të administrojë avantazhin dhe të zbresë shpejt me kundërsulme, por pa vënë në vështirësi Likën. Në minutën e dytë shtesë, nga katër të tilla që akordoi arbitri, ishte sulmuesi i talentuar Ernest Muçi, që u harrua në zonë nga mbrojtja e të kuqve dhe pas një pasimi të marrë, gjuajti saktë, duke mposhtur Alban Hoxhën dhe rikthyer baraspeshën, rezultat ky që mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitrit kryesor.

Me këtë barazim Tirana mbetet në krye të renditjes, tani me 7 pikë para Kukësit ndjekës, distancë kjo që mund të reduktohet në 4 pikë, nëse verilindorët fitojnë nesër ndeshjen e tyre ndaj Teutës, ndërsa Partizani mbetet në kuotën e 49 pikëve dhe sheh t’i komplikohet objektivi për një vend në zonën Europa League.

FOTO GALERI
9/21

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA