Jurgen Bardhi ishte një nga më të mirët e Partizanit në derbin ndaj Tiranës, pasi dha asistin për golin e Cordeiros dhe i shkoi shumë pranë golit të dytë, ndërsa në pikërisht për rastin e humbur, foli edhe në intervistën e dhënë në “Gol pas Goli” në Supersport.

Sa i mërzitur jeni pas një barazimi që vjen vetëm në minutat e fundit?
Sinqerisht, duhej ta fitonim ndeshjen, pasi kishim më shumë dëshirë se Tirana. Lojtarët dhanë gati 100% dhe Tirana s’e meritoi barazimin, por ashtu siç kemi bërë gjithmonë gjatë këtij sezoni, gabuam dhe na iku fitorja. Kemi gabuar në shumë ndeshje gjatë këtij sezoni.

Pritej një tjetër hap para nga ju këtë sezon, por realisht shifrat konfirmojnë të kundërtën…
Nga gushti deri në mars kam luajtur i dëmtuar dhe nuk kam qenë gati 100%. Pastaj dhe rezultatet jo të mira, dhe ndryshimi i trajnerit. Mendoja të bëja më mirë, por gjërat ndonjëherë shkojnë ters.

Si është situata te Partizani?
Ne gjithmonë kemi patur harmoni. Edhe trajneri është trembur nga koronavirusi. E shfaqëm shumë mirë veten në lojë.

Mendoni se mund të bënit më mirë te rasti i humbur?
Mund të bëja më mirë te rasti i humbur, por unë nuk jam lojtari që e shtyj topin shumë para dhe avancoj. Kam ecur me topin në këmbë tërë kohës, por e kuptova vonë ardhjen e Dokës nga mbrapa, pasi po kontrolloja pozicionin e portierit. Po të shikoni, sapo kam larguar pak topin nga këmba, për të gjuajtur, kur erdhi Doka.

Top Channel