Chelsea fiton derbin e Londrës dhe merr vendin e tretë, triumf shprese për Watford

08/07/2020 00:17

Chelsea ia doli të triumfojë me rezultatin 2-3 në derbin e vogël të Londrës përballë Crystal Palace dhe me tre pikët e marra të ngjitet të paktën përkohësisht në vendin e tretë të renditjes me 60 pikë.

Në takimin e zhvilluar në “Selhurst Part” të Londrës, skuadra e drejtuar nag Franck Lampard mori kontrollin e ndeshjes menjëherë dhe arriti të kalojë në avantazh që në minutën e gjashtë me anë të sulmuesit francez Olivier Giroud. Në minutën e 27’ ishte fantazisti amerikan Cristian Pulisic i cili shënoi edhe golin e dytë për skuadrën e Lampard, por vendasit u zgjuan pas këtij goli dhe rihapën takimin me anë të francezit Zaha.

Në pjesën e dytë Lampard aktivizoi sulmuesin e ri të talentuar Tammy Abraham, i cili vetëm 5 minuta pasi shkeli në fushë, arriti të shënojë edhe golin e tretë për “blutë e Londrës” megjithatë ndeshja nuk mund të ishte aspak e qetë. Kjo pasi vetëm një minutë më vonë ishte Christian Benteke që shënoi në portën e Arrizabalagës dhe rihapi sërish takimin, ndërsa deri në fund vendasit krijuan disa mundësi të mira shënimi, por pa ia dalë të rikthejnë baraspeshën.

Me këtë fitore Chelsea ngjitet në vendin e tretë me 60 pikë ,duke konsoliduar disi pozitat në zonën Champions, ndërsa Crystal Palace regjistroi humbjen e katërt radhazi, që gjithsesi nuk ka pasoja, pasi pozicionohet larg zonës së ftohtë të renditjes. Fitore mjaft të rëndësishme për mbijetesën mori edhe skuadra e Watford, e cila mposhti me përmbysje 2-1 Norwichin. Këta të fundit kanë rënë tashmë një ligë më poshtë, por nuk ngurruan t’ua bëjnë të vështirë kundërshtarëve, që gjithsesi morën tre pikët dhe tani largohen me 4 pikë nga zona e rënies.

Top Channel