Unifikimi i guidave/ Gjirokastër, objekte të reja po i shtohen listës

07/07/2020 12:40

Objekti që gjendet pas meje është hamami i “7 Krojeve”. Ky monument është i restauruar por nuk është i vizitueshëm pasi nuk mund të hyhet në ambientet e brendshme.

Këtu mungojnë tabelat shpjeguese por edhe sinjalistika që të sjell në këtë vend ka shumë probleme.

Në Gjirokastër dhjetëra objekte të trashëgimisë kulturore po futen në fondin e vizitueshëm që përzgjidhet nga dhjetëra guida shqiptare dhe të huaja. Ajo çfarë vërehet është mungesa e unifikimit të informacionit për këto monumente. Një tjetër problem që nënvizojnë specialistët ka të bëjë me vetë objektet që po vizitohen, me rolin që ato kanë me mënyrën sesi janë restauruar, me mungesën në disa raste të valorizimit real të tyre por edhe me informacionin që guidat kanë në dispozicion për këto objekte.

Restauratori Reshat Gega thotë se kjo është një fazë që sapo ka filluar, duket se ka filluar mirë por ka shumë punë për të bërë.

“ Sistemi i guidave, materiali i guidave po kështu edhe vetë guidat, unë do ti konsideroja në fillim të një procesi për shumë arsye. Kuptohet që ka mangësi dhe do të ketë për një fare kohe deri sa ky kuadër të plotësohet dhe të saktësohet. Guida ka rendësi të jashtëzakonshme të jetë objektive dhe e saktë, si nga të dhënat historike si dhe të dhëna të tjera teknike apo arkitektonike dhe kjo ende çalon. Ashtu sikurse folëm për guidat dhe materialin për to që është në fillesat e veta po ashtu në fillesat e veta është edhe turizmi kulturor nga pikëpamja e krijimit të objektit dhe shtratit të vizitueshmërisë.

Për mua këto janë elementë pozitivë dhe 2-3 vitet e fundit edhe popullata sikur po zgjohet dhe po merr sensin pozitiv të zhvillimit të gjërave. Kush ka një shtëpi tani ka tendencën ta ruajë atë dhe ta deklarojë si është në raport me historinë, sa elementë ka etj. Në qoftë se dikur i zhduknin e i zhbënin elementët sepse preferonin soletën dhe betonin, suvanë sot ka hyrë një frymë tjetër. Kjo është pjesa pozitive e këtij trendi por jo e mjaftueshme. Duhet që edhe asistenca qe vjen nga institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore duhet të jetë shumë e fortë dhe prezente.”

Këtë vit universiteti “Eqrem Çabej po diplomon studentët e parë në degën e udhërrëfimit turistik. Ata janë duke zhvilluar praktikën mësimore pranë Visit Gjirokastra.

Manjola Shehaj Zhvilluese produkti / Visit Gjirokastra tha:

“ Janë ngritur shumë produkte turistike dhe eksperienca nga Visit Gjirokastra të cilat këta udhërrëfyes do ti shoqërojnë për t’ju dhënë sensin lokal. Ne nuk synojmë të sjellim thjesht atraksione por do të jetë një produkt që do të vijë bashkë me historinë e jetuar. Kjo është një mundësi shumë e mirë që ju jep shpresë edhe vendasve dhe të diplomuarve këtu përveçse i jep një hov turizmit. “

Është e nevojshme që në këtë fazë të kemi një unifikim të informacionit për të gjitha guidat. Ndërkohë që po shtohen dita ditës monumente të reja në listën e atraksioneve të vizitueshme ka vlerë që informacioni për to të jetë unik për të mos çuar në deformime, historime fallco apo keqinformim të vizitorëve.

Top Channel