Me një përmbysje fantastike dhe pa ndihmën e tifozëve në një stadium të akullt si asnjëherë tjetër, Milan mori një fitore impresionuese 4-2 ndaj Juventus, në një 90 minutësh plot emocione që regjistroi përmbysjen e pabesueshme të kuqezinjve.

Avantazhi komod i bardhezinjve u duk se e kishte vrarë sfidën por reagimi i çmendur i vendasve, prodhoi ndeshjen më të bukur pas pandemisë në Serinë A. Adrien Rabiot’ dhe Kristiano Ronaldo shënuan në startin e pjesës së dytë për Juventus, i pari në një aksion personal të francezit dhe tjetri në reagimin cinik të portugezit para Donarumës.

Por përmbysja e madhe nisi nga ekzekutimi i ftohtë i një penalltie nga Ibrahimoviç që ngushtoi distancën ndërsa Kesi arriti të barazojë rezultatin. Vetëm 1 minutë më vonë Milan përfitoi nga përgjumja e Juves duke marrë për herë të parë avantazhin me Leao, por rrjeta që vulosi suksesin e merituar, erdhi nga e majta e bukur e kroatit Rebiç. Kjo disfatë gjithsesi nuk e rrezikon kryesimin e Juves.

Top Channel