Pas 3 fitoresh radhazi, Arsenali ndalet në një barazim 1-1 përballë rivalit direkt për një vend në zonën Champions, objektiv ky që largohet edhe më shumë për “topçinjtë” e Mikel Artetës.

Në “Emirates Stadium” londinezët morën menjëherë kontrollin e lojës dhe pas disa rasteve, arritën të gjejnë golin e avantazhit me anë të Pierre Emenick Aubameyang, i cili dërgoi sferën në rrjetë pas një asisti të Saka.

Deri në fund të pjesës së parë Arsenali kishte mundësi të shënojë edhe 3-4 herë të tjera, por pasaktësia e sulmuesve dhe pritjet spektakolare të Schmeichel bënë që avantazhi të mbetej minimal. Edhe pjesa e dytë nisi mjaft mirë për “topçinjtë”, ndërsa në minutën e 71-të trajneri Arteta hodhi në fushë edhe sulmuesin Nketiah, me shpresën se do të gjente edhe golin e dytë për të mbyllur ndeshjen.

Por pikërisht këtu u komplikua situata, sepse pas vetëm 4 minutash në fushë, Nketiah bëri një ndërhyrhe naive me taka të ngritura në mesin e fushës dhe u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë londinezët me 10 futbollistë. Epërsinë numerike e shfrytēzoi mjaft mirë Leicester, që për 75 minuta kishte bërë shumë pak për të shmangur humbjen, por më pas gjeti golin e barazimit me anë të sulmuesit kryesor Jamie Vardy, duke marrë një pikë mjaft të rëndësishme, që e mban në zonën Champions.

Top Channel