Përballja mes Mourinhos dhe Ancelottit mbrëmjen e sotme në Londër, shkoi në favor të teknikut portugez, pasi Tottenhami arriti të triumfojë me rezultatin minimal 1-0, falë një autogoli të shënuar nga mbrojtësi Michael Keane.

Të dy skuadrat vinin në pozita pak a shumë të njëjta në renditje, me vetëm një pikë diferencë, ndërsa sfida në fushë ishte e balancuar, me një epërsi shumë të lehtë të “Spurs”-ave të Mourinhos.

Fati i takimit u vendos në minutën e 24-t, kur pas një gjuajtjeje të koreanit Hueng Min-Son, mbrojtësi Michael Keane devijon sferën në rrjetë, duke nxjerrë jashtë loje portierin e skuadrës Jordan Pickford.

Pavarësisht përpjekjeve deri në fund, Evertoni nuk ia doli të bëjë asgjë pr të shmangur humbjen në Londër, ndërsa edhe Tottenhami zbriti shpesh në kundërsulm, por pa arritur të dërgojë sferën në rrjetë për herë të dytë.

Me këtë fitore, Tottenhami ngjitet në vendin e tetë me 48 pikë, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në Kupat e Europës, ndonëse gjithçka duket ende e vështirë.

Top Channel