Në Komunë e Malishevës në Kosovë, një person ka vdekur si pasojë e sëmundjes së etheve hemorragjike.
Përmes një njoftimi, autoritetet lokale të kësaj komune, thanë se kjo është viktima e parë nga kjo sëmundje në gjashtë vjetët e fundit.
“Bazuar në të dhënat e deritanishme, tashmë i ndjeri, nuk është trajtuar në Klinikën Infektive, por në një klinikë tjetër dhe në momentet e fundit të jetës, ka pasur nevojë edhe për terapi me oksigjen”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.
Më herët, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se po përcjell me vëmendje situatën epidemiologjike ne komunat endemike me ethe hemorragjike Krime-Kongo.
“Deri më 5 korrik në Departamentin e Mikrobiologjisë janë testuar 10 mostra të dyshimta dhe një rast ka rezultuar pozitiv”, thuhet në njoftimin e Institutit.
Infektologu Infektologu Sali Ahmeti, i pati thënë Radios Evropa e Lirë se përkundër situatës së krijuar me koronavirusin e ri, e që shkakton sëmundjen e COVID-19, Klinika Infektive, është e gatshme edhe për pacientët me ethe hemorragjike, meqë tashmë është sezoni kur ndodhin shpërthimet epidemike nga kjo sëmundje.
“Qasja e COVID-19 do të na vështirësojë punën e menaxhimit rreth etheve hemorragjike, (rasteve) eventuale të pritshme. Sidoqoftë ne kemi filluar ta kemi këtë parasysh që të marrim masa paraprake për menaxhimin e këtyre rasteve”, pati thënë Ahmeti.
Sezona kur shfaqen rastet e pickimit nga rriqrat – që shkakton sëmundjen e etheve hemorragjike – është nga muaji prill dhe maj dhe vazhdon më pas edhe në muajt qershor, korrik dhe gusht.
Problemi mjedisor me të cilin është ballafaquar Kosova prej vitesh, me pickimin e rriqrave dhe ethet hemorragjike, sipas profesionistëve shëndetësorë, tashmë ka pësuar një rënie të dukshme nga viti në vit.
Nga ethet hemorragjike vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 qytetarë. Ky ishte viti kur është arritur maksimumi i personave të pickuar dhe atyre që kanë vdekur.
Top Channel