Hetim për vdekjet në spital/ Prishtinë, dyshohet se prishja e aspiratorëve vrau të sëmurët me covid

06/07/2020 14:43

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i krimeve të rënda, ka nisur hetimet pas dyshimeve që rrethojnë vdekjet e disa pacientëve me COVID-19, që ndodhën në orët e para të së dielës në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

Lajmin e konfirmoi për Radion Europa e Lirë, Artan Grantolli, nga Prokuroria e Shtetit, sipas të cilit, “hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë intensive”.

Edhe Policia e Kosovës njoftoi se po heton vdekjen e gjashtë personave në Klinikën Infektive në Prishtinë. Në raportin policor thuhet se “me vendimin e prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekspertizë. Rasti është duke u hetuar”.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës deklaruan një ditë më parë se “për shkak të shtimit të numrit të viktimave brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), njoftoi se të dielën ka regjistruar nëntë të vdekur me COVID-19. Sipas disa raporteve të pakonfirmuara zyrtarisht, për disa prej tyre nuk kanë funksionuar respiratorët. Numri i të vdekurve në Kosovë nga koronavirusi ka mbërritur në 75.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA