Në pritje të marrjes së grantit të rikonstruksionit, të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës po përballen me shqetësimin për ambientet e përbashkëta të pallateve dhe se kush do të përgjigjet financiarisht për to.
Ky pallat i dëmtuar në nivelin DS3 ndodhet në plazhin e Durrësit dhe çdo ditë administratori i kësaj godine banimi përballet me banorët që i kërkojnë sqarime që nuk i ka.
“Sipërfaqet e përbashkëta janë goxha të dëmtuara dhe njerëzit nuk e dinë kush do t’i paguajë lekët e shkallëve, tarracës. Do t’i bëjë bashkia, firma? Njerëzit janë të çoroditur, nuk kanë informacion të saktë. Ju lutem, na jepni informacion që ne të qetësohemi për sipërfaqet e përbashkëta, për t’i riparuar banesat tona dhe të hyjmë sa më shpejt.”
Banorët shprehen se sasia e parave që do të përfitojnë nga granti, 500 mijë lekë në këtë rast, është llogaritur për riparimet e dëmeve në apartamente.
“Fasadat e ambientet e përbashkëta kemi problem. Vlera e tyre. Kush do të paguajë, si do të menaxhohet.”
“Ka dalë emri për grantin që do të marrim, po fasadat, ambientet e përbashkëta janë shumë të dëmtuara dhe nuk mund të rregullohet shtëpia pa u bërë këto. Deri tani asgjë.”
Shumë banorë në pallatet e dëmtuara kanë qenë me qira në to, të tjerë janë jashtë dhe në rast se do të mbulohet pjesërisht me fonde të banorëve si do të ndahen ato.
“Shumë banorë janë me qira e kanë ikur pas tërmetit. Janë shumë pak familje që i kanë shtëpitë e tyre këtu e nuk e përballojmë dot. Jam papunë dhe pres grantin që të rregulloj shtëpinë brenda. Për fasadat nuk jam dakord.”
Top Channel