Klinika Infektive në Kosovë kthehet në “skenë krimi”/ Largohen disa trupa të pajetë

05/07/2020 10:57

Forca të policisë së Kosovës janë vendosur mëngjesin e të dielës në klinikën infektive të QKUK në Kosovë. Ato kanë bllokuar hyrjet për në këtë klinikë.

Sipas kosovapress, dyshohet se mbrëmjen e të shtunës në këtë klinikë kanë humbur jetën katër persona si pasojë e mos funksionimit të respiratorëve.
Megjithatë sipas saj, nuk ka ende asgjë zyrtare.

Sidoqoftë, mjekësia ligjore është parë duke larguar trupat e pajetë. Një ditë më parë, në Kosovë u raportuan tetë viktima të reja të koronavirusit dhe po ashtu një numër rekord rastesh të reja, 178. Kjo duket se ka shtyrë edhe kryeministrin Avdullah Hoti, të thërrasë në një takim krerët e institucioneve shtetërore në vend.

Zyra e kryeministrit të Kosovës njoftoi se takimi do të mbahet në kryeministri dhe pas tij do të ketë një konferencë për shtyp.

Të shtunën, qendra klinike universitare e Kosovës njoftoi për gjashtë viktima nga koronavirusi por në njoftimin e institutit kombëtar të shëndetësisë publike u raportua edhe për dy viktima të tjera duke e çuar në total numrin e tyre në 66. Sipas të dhënave, 50 pacientë janë shëruar 24 orët e shkuara, duke e çuar në 1874 numrin e përgjithshëm të të shëruarve. Që nga rasti i parë i koronavirusit, më 13 mars, e deri të shtunën, janë regjistruar gjithsej 3356 raste me covid 19 ndërsa 1416 janë rastet aktive.

Në situatën e krijuar, instituti kombëtar i shëndetësisë publike të kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rekomandimet në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e koronavirusit. ISHPK i është drejtuar qytetarëve, bizneseve etj, duke u kërkuar që të respektojnë distancimin fizik, të përdorin maskat, të dezinfektojnë dhe ajrosin ambjentet, duke pamundësuar përhapjen e infeksionit. Sipas institutit, cdo qytetar që shkel rregullat, rrezikon shëndetin e vetes dhe të të tjerëve.

Stafi shëndetësor që është angazhuar ndërkohë në përballjen me koronavirusin sipas kryetarit të sindikatës së punonjësve të shëndetësisë, blerim syla, është i stërlodhur dhe i mbingarkuar. Deri dy ditë më parë 257 punonjës të këtij sektori janë konfirmuar të prekur nga koronavirusi. Sipas kreut të sindikatës ndërkohë Kosova nuk ka staf të mjaftueshëm për të përballuar situatën e krijuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA