Një javë më parë Liverpool festoi rikthimin te titulli kampion pas 30 vitesh nga hera e fundit që ngrinte këtë trofe, ndërsa mbrëmjen e sotme shorti e vuri përballë Manchester Cityt, skuadër të cilën e zbriti nga froni.

Në “Etihad Stadium”, “citizens” u rezervuan një pritje mjaft të mirë kampionëve të saposhpallur, duke u formuar një kordon dhe pritur me duartrokitje zbritjen e tyre në fushë, por vetëm kaq, sepse më pas u treguan të pamëshirshëm në fushën e lojës.

Të dehur ende nga festa e titullit, të besuarit e Klopp rezistuan vetëm 25 minuta, pasi arbitri akordoi një penallti, të cilën e shndërroi në gol belgu Kevin De Bruyne, ndërsa brenda pjesës së parë Manchester City trefishoi avantazhin, me golat e Sterling dhe Foden.

Liverpool provoi të reagojë në pjesën e dytë, por të vetmin gol që shënoi, ishte ai në portën e Alisson, nga ana Oxlade Chamberlain, i cili çoi shifrat në 4-0 për Manchester Cityn dhe vulosi suksesin e skuadrës së Guardiolës.

Jurgen Klopp nuk e kapërdiu aspak mirë humbjen, teksa u largua i mërzitur nga “Etihad Stadium”, ndërsa Manchester City është shumë pranë të siguruarit edhe matematikisht të një vendi në zonën Champions për sezonin e ardhshëm.

Top Channel